Po udhëtonin me autobus drejt Gjermanisë, 40 kosovarë mbesin mbi 6 orë në Serbi

Ishin nisur me autobus nga Kosova drejt Gjermanisë, por dhjetëra udhëtarë mbetën me orë të tëra në një rrugë të Serbisë. Ani pse nisja u bë në orën 06:00, qytetarët që po udhëtonin për në Gjermani, tash e disa orë kanë mbetur jashtë autobusit në një zonë të Serbisë, shkruan Sinjali.

Një Sinjalizues ka pretenduar se kompania “Euro Fly Peja”, i ka lënë në një rrugë të Serbisë udhëtarët që mëngjesin e sotëm ishin nisur drejt Gjermanisë.

I njëjti person, në orën 08:23 të ditës së shtunë ka dërguar në redaksinë e Sinjalit edhe një video, ku shihen udhëtarët jashtë autobusit.

Sinjali ka kontaktuar me personat përgjegjës të kompanisë “Euro Fly Peja”, të cilët kanë thënë së kjo ka ndodhur për shkak të një defekti që ka pësuar autobusi.

Pronari i kompanisë “Euro Fly Peja”, Edonis Idrizi, ka thënë se rreth orës 12:00 është njoftuar se ka pësuar defect autobusi i kompanisë së tij, i cili po dërgonte udhëtarë nga Kosova në Gjermani.

“Askush nuk ka mbetur jashtë, autobusi ka një defekt sepse është prishur një cevë e ajrit, ne jemi nisur për Serbi me një autobus të zbrazët, për t’i marrë udhëtarët që kanë mbetur në Serbi dhe për t’i dërguar në Gjermani…”, ka potencuar ai për Sinjalin.

Ai ka dërguar edhe fotografi, për të dokumentuar defektin e autobusit.

Ndërkaq, disa minuta më vonë, Idrizi ka thënë se autobusi që kishte pasur defekt tashmë është rregulluar dhe bashkë me udhëtarët do ta vazhdojë rrugën drejt Gjermanisë.

Në autobusin e “Euro Fly Peja” i cili po udhëtonte për në Gjermani, por mbeti disa orë në Serbi, ishin gjithsej 40 pasagjerë.