Lajçak: Po punojmë për një takim Kurti-Vuçiq para pushimeve verore

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë – Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, gjatë një konference për media pas vizitës treditore në Kosovë ka shprehur kërkesën për një takim në nivel të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq para pushimeve të verës në Bruksel.

“Takimin e radhës në kuadër të kryengociatorëve do ta kemi në korrik, dhe jemi duke punuar që ti takojmë udhëheqësit kryesor të dialogut, kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, dhe do të doja që kjo të ndodh para pushimeve verore.

Jam optimist për një takim para pushimeve, sepse edhe Vucic edhe Kurti janë të gatshëm për një takim në Bruksel. Po punojmë që të krijojmë mundësi për këtë ka një numër dokumentesh për të cilat po diskutojnë e që janë për personat e zhdukur, bashkëpunimin rajonal etj”, ka thënë Lajçak.

Emisari i BE-së tha se “ka një numër të dokumenteve që tani jemi duke i diskutuar”.

Lajçak e ka cilësuar shumë të rëndësishëm unitetin politik në vend për dialogun. Ka vlerësuar lart edhe nënshkrimin e udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjes për energjinë në veri.