Gazetari Eni Ferhati ka komentuar mbi arrestimin e ish-presidentit Ilir Meta, duke ngritur hipotezën se sekuestrimi i telefonit të Monika Kryemadhit mund të ketë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e hetimeve që çuan në këtë arrestim.
Sipas Ferhatit, telefoni i Kryemadhit, i sekuestruar rreth 10 muaj më parë në banesën e nënës së saj, ka qenë objekt hetimi nga Prokuroria e Posaçme.
Gjatë kësaj periudhe, ky aparat celular mendohet të ketë ofruar prova të rëndësishme për hetimin.
“Kam përshtypjen se nga ky aparat celular, Prokuroria e Posaçme ka siguruar disa indicie të rëndësishme, të cilat janë mbështetur edhe nga veprime të tjera hetimore,” tha Ferhati, duke theksuar se hetimet mund të kenë zbuluar biseda implikuese të çiftit Meta-Kryemadhi.
Ai përmendi gjithashtu një episod të rëndësishëm që lidhet me blerjen e një apartamenti në zonën e ish-bllokut, me vlerë prej 310 mijë euro, ku çifti Meta dhe nëna e Kryemadhit janë përfshirë.
Sipas Ferhatit, ka dyshime se pronësia e apartamentit është mbuluar me kredi bankare, por më pas detyrimi është shlyer me kesh në një periudhë shumë të shkurtër.
“Kjo situatë, së bashku me telefonin e zonjës Kryemadhi, mund të përmbajë biseda me biznesmenë apo me vetë Ilir Metën, duke e bërë këtë provë të rëndësishme për hetimet,” përfundoi Ferhati, raporton euronewsal.