Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, tha se që nga ardhja e Albin Kurtit, në Kosovë nuk ka më sundim të ligjit për serbët dhe se demokracia është shfuqizuar plotësisht.
Në një prononcim për TV Pink, Jevtiq ka thënë se që nga ardhja e Kurtit është futur politika e etnonacionalizmit të zbatuar nga “regjimi aktual në Prishtinë”.
“Gjithçka sa i përket të drejtave të garantuara me ligje këtu në Kosovë, serbëve u hoqën me ardhjen e Kurtit në pushtet dhe kjo është diçka që duhet thënë. Në anën tjetër, veprimet dhe vendimet e tilla po mundohemi që përmes mekanizmat që i kemi, prandaj këtë kërkesë e kemi miratuar në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës, prandaj kemi ndërmarrë disa hapa dhe masa të tjera dhe nuk do të heqim dorë nga lufta jonë”, tha Jevtiq.
Ai ka theksuar se është në pritje të përgjigjes nga bashkësia ndërkombëtare.
“Ajo që duhet të theksoj gjithashtu është se presim përgjigje nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, po e përsëris, si është e mundur që Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut pasi që kryetari i kësaj komune është shqiptar dhe që pothuajse të gjithë Anëtarët dhe shumica e këshilltarëve janë shqiptarë, si respektohen vendimet e tyre, por asnjë vendim i Komunës së Shtërpcës nuk respektohet”, deklaroi ai.