Rohde: Nuk kërkohet që Kosova të ketë vendim final për Asociacionin

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka folur për çështjen e ‘nxehtë’ në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, atë të Asociacionit.

Në një intervistë në televizionin publik, ai ka thënë se nuk kërkohet që Kosova të ketë vendim final për Asociacionin.

“Ne kemi thënë të dërgohet drafti në Gjykatën Kushtetuese në mënyrë që Gjykata ta kontrollojë nëse është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, ky është hapi i parë. Kjo do të ishte e mjaftueshme për ta bërë anëtarësimin në Këshillin e Evropës shumë shpejt sepse ato takime nuk mund të thirren shumë shpesh për votim dhe kjo është sqaruar para ca kohe, pa këtë hap nuk ka garanci për shumicën dhe votimi i dështuar do të ishte katastrofik.“

“Pra duam që të jetë pozitiv, duam që ta kemi Kosovën në Këshill të Evropës, por që Kosova duhet të kryejë punët e veta dhe kjo pritet nga pala, pra kur të hyjë Kosova në organizatë, secili qytetar mund t’i drejtohet si individ gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut, qoftë për të drejtat e pensioneve apo kundër edhe vendeve tjera. Kjo është pra një detyrë e shtëpisë që nuk është kryer nga këndvështrimi ynë”, tha Rohde.