Kreu i Pensionistëve: Do t’i hakmerremi Qeverisë “Kurti”, na përbuzën e na fyen

Në Kosovë pensioni bazik, të cilët e marrin edhe 150 mijë pensionistë, është 100 euro, përderisa pensionistët kontributdhënës më së shumti i marrin rreth 265 euro në muaj, varësisht prej shkollimit dhe përvojës së tyre.

Kreu i Pensionistëve të Kosovës, Nijazi Gashi, ka deklaruar për portalin Front Online se Qeveria “Kurti” i ka injoruar nevojat financiare të pensionistëve. Ai theksoi se pensionistët janë lënë pas dore dhe se qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për të përmirësuar situatën e tyre.

‘’Qeveria jo që nuk ka bërë asgjë, por ka bërë keq tërë kohën dhe nuk është marrë me çështjen e pensionistëve fare. Qeveria ka kohë që i ka lënë pas dore pensionistët e nuk merret fare me ta, na ka përbuzur e na ka fyer, gjë që është e papranueshme’’,tha Gashi.

Gashi nënvizoi se pensionet që marrin të moshuarit në Kosovë janë jashtëzakonisht të ulëta dhe të pamjaftueshme për të mbuluar nevojat e tyre themelore.

Ai e akuzoi Qeverinë, siç tha për gënjeshtra, duke pretenduar se kishte rritur pagat, ndërsa realiteti sipas tij tregon të tregon të kundërtën. Sipas tij, kjo është një situatë e papranueshme që reflekton mungesën e respektit ndaj pensionistëve.

‘’Ne e dimë që pensionet që i marrin të moshuarit në Kosovë janë të pa mjaftueshme, janë një shume shumë e vogël, mirëpo kjo qeveri përkundër kësaj nuk ka marrë asnjë hap.Qeveria Kurti edhe kategoritë e tjera i ka gënjyer kinse u ka rritur pagat për pensione s’po flas hiç se dihet siç është gjendja s’ka asnjë rritje’’,deklaroi Gashi.