Pse Erdogani mori me vete djalin dhe shefin e inteligjencës në takimin me Edi Ramën?

Zbardhen detaje nga takimi që pati dje kryeministri Edi Rama me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan. Ata u takuan në New York, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të 79-të të Kombeve të Bashkuara.

Takimi mban shumë mister brenda, pasi vetë qeveria shqiptare nuk dha asnjë detaj. Rama u mjaftua me një status në rrjetet sociale dhe kaq. Më shumë detaje kanë dhënë presidenca turke. Sipas saj, gjatë takimit u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe midis Turqisë dhe Shqipërisë, çështje rajonale dhe globale. Po ashtu theksohet se një fokus i veçantë është ndalur te lufta mes Hamasit dhe Izraelit.

Sipas Presidencës, Erdoğan deklaroi se masakrat e kryera nga Izraeli në tokat palestineze, veçanërisht në Gaza, dëmtojnë paqen rajonale dhe globale, se shkeljet e të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar duhet të ndalen. Sipas tij, nëse shtetet e botës veprojnë së bashku në paqe dhe në mënyrë të orientuar, Izraeli do të detyrohet të ndalojë.

Pra duket sikur Erdogan i ka kërkuar Ramës të dalë kundër Izraelit. Shqipëria historikisht ka qenë në mbështetje të Izraelit, duke ecur sipas qëndrimit amerikan. Turqia ka dalë prej kohësh kundër dhe duket se Erdogan ka nisur lobimet te Rama.

Por elementi që ka tërhequr më shumë vëmendje në këtë takim janë personat që kanë shoqëruar Erdoganin. Përveç ministrit të Jashtëm dhe këshilltarit të Erdoganit, në atë takim ka qenë kreu i inteligjencës turke, İbrahim Kalın dhe Kryetari i Bordit të Administrimit të Fondacionit për Përhapjen e Shkencës Bilal Erdoğan. Ky i fundit është djali i Erdoganit.

Ministri i Punëve të Jashtme Hakan Fidan, Drejtori i Organizatës Kombëtare të Inteligjencës İbrahim Kalın, Drejtori i Komunikimeve Presidenciale Fahrettin Altun, Shefi i Politikës së Jashtme dhe Këshilltari i Sigurisë i Presidentit Akif Çağatay Kılıç dhe Kryetari i Bordit të Administrimit të Fondacionit për Përhapjen e Shkencës Bilal Erdoğan ishin gjithashtu të pranishëm në pritje”, njoftoi presidenca turke.

Fakti që në takim ka qenë kreu i inteligjencës turke, rrit dyshimet se është folur për çështje të sigurisë apo ushtarake. Ndërkohë prania e djalit të Erdoganit ngre dyshime se është folur dhe për të mbyllur shkollat dhe institucionet e FETO. Bilal Erdoğan ka gjithë jetën që merret me drejtime fondacionesh dhe në fokus ka forcimin e myslimanizmit. Po ashtu ai shihet si një prej trashëgimtarëve të presidenti turke. Me pak fjalë, takimi dje nuk ka qenë thjesht kortezi, por është diskutuar për gjëra shumë të thella, të cilave do ja u shohim tymin në ditët në vijim.