Shkruan: Atdhe Gjoci
Sot në Kosovë është ngritur një debat dhe është krijuar një lëvizje që po thërret për braktisjen e fesë myslimane dhe kthimin te feja e të parëve, pra, në besimin e stërgjyshërve tanë, të cilët ishin paganë. Por kjo thirrje nuk duket të jetë e tillë, sepse ata po kërkojnë braktisjen e fesë myslimane si feja e fundit e imponuar me dhunë tek shqiptarët, me qëllimin për të kaluar tek e para, pra paganizmi, dhe ata përfunduan tek e dyta, krishterizmi.
Kjo lëvizje u ngrit mbi një kauzë tjetër, atë kundër përdhosjes së figurave kombëtare nga ekstremistët myslimanë, dhe pastaj rrëshqitën në një tjetër segment.
A di kush nga ta të tregojë se nga ju erdhi ideja e kësaj iniciative? Interesi i kujt është që ne sot të merremi me fetë e huaja dhe t’i kthejmë ato në ushtarë në arenën tonë të brishtë? Pse nuk u bënë paganë meqenëse kanë nevojë për ta çliruar shpirtin në besim dhe të kthehen te feja e të parëve të tyre? Ndoshta do të dukeshin më përparimtarë para Evropës, në vend se të gjykojnë se dogma e Lindjes apo e Perëndimit qenka më moderne dhe më shqiptare në sytë e evropianëve.
Si është e mundur që për më shumë se një shekull Serbia përpiqet për një luftë ndërfetare mes vëllezërish në Kosovë, dhe nuk ia arriti as në kohë okupimi? Sot, në paqe, disa njerëz bien në lajthitje dhe me injorancën e tyre kontribuojnë në agjenda dhe qarqe të caktuara që nxisin një urrejtje të mundshme ndërfetare në Kosovë. Pa dashur të akuzoj apo të bëj apologjinë e askujt, jam i bindur se njerëzit e kësaj iniciative janë patriotë, madje disa prej tyre të dëshmuar, dje dhe sot. Në mendjet e tyre kanë qëllime të mira, por nuk kanë arritur të kuptojnë se qëllimi patriotik i tyre mund të jetë nxitës. Agjendën, të cilën ua ka sjellë dikush në pjatë dhe këta pa e përtypur fare e kanë kapërdirë dhe si të tillë, veç e kanë faktorizuar ekstremizmin mysliman duke na e sjell çdo ditë në media.
E drejta për të besuar pa imponim në Kosovën tonë laike është e garantuar dhe e mbrojtur me ligj, po aq sa shprehja e lirë.
Aludimet se kemi qenë të krishterë dhe duhet të kthehemi përsëri te ajo fe nuk nënkupton asgjë tjetër përveç prapambeturi dhe kalim nga një dogmë në dogmën tjetër, pa asgjë konkrete dhe racionale, dhe aq më pak shkencore, edukative apo bashkëkohore.
Kjo është një kthim në kohën e Mesisë (Jezusit) ose Isait, 2000 vjet më parë, të cilin bota e dijeve dhe shkencës po e braktis çdo ditë, sepse e konsideron të vjetruar dhe të skaduar. Ndërsa ne ende duhet të dëshmojmë se jemi të vonuar. Edhe kur ata e braktisin, ne po e marrim stafetën e tyre të hedhur. A nuk do të ishte më mirë të ecim paralelisht me popujt e zhvilluar, të braktisim fetë, të luftojmë analfabetizmin dhe të mbështesim edukimin, dijen dhe shkencën?
Pse duhet të merremi me shpikjet dogmatike të mendjes njerëzore, të shpërndara në vendet e pushtuara nga forcat perandorake? Të dyja këto fe u treguan të dhunshme: myslimanët me popujt e pushtuar që nuk u bindeshin, dhe kisha, e cila përveç popullit, torturoi edhe njerëzit e shkencës. Pse ne sot të kthehemi nga epoka e revolucionit digjital në shekullin e parë?
Aq më tepër kur këtë e bën një profesor shkence, si Mujë Rugova, i cili në një mënyrë po shkel mbi dijet e veta që bien ndesh me veprimtarinë persekutuese të krishterimit, e cila ishte e pamëshirshme me ata që nuk pajtoheshin me politikën e kishës dhe merreshin me shkencë, si Giordano Bruno, Galileo Galilei dhe shumë figura të tjera shkencore.
Nëse ne dëshirojmë t’i distancojmë dhe neutralizojmë sektet ekstremiste islamike së bashku me disa hoxhallarë në Kosovë nga rrjeta jonë kombëtare, kulturore, zakonore, gjuhësore, liberale dhe kanunore, ka plot mjete dhe metoda të tjera. Kjo është rruga më e gabuar e zgjedhur ndonjëherë, sepse ekstremi nuk mund të luftohet me ekstrem; përkundrazi.
Nëse sot besojmë në dogma 2000-vjeçare dhe para mesjetës, në përrallat profetike, pse të mos “besojmë” edhe në inteligjencën artificiale që di pothuajse gjithçka? Është e njëjta gjë sikur sot t’i veshim inteligjencës artificiale petkun e hyut dhe nesër ta besojmë si zot. Ashtu ishin edhe përrallat profetike me gjithë dijet e mangëta përpara injorancës popullore dikur.
Ndoshta edhe ju kam mërzitur me agnosticizmin tim, por për fund dua të shtoj: Feja është subjektive dhe si e tillë është e ndryshueshme, varësisht nga interesat e qarqeve të caktuara, siç mund të jetë edhe një program i një partie politike ose një korporate. Ajo nuk është objektive, siç është ligji i gravitetit, i cili nuk ndryshon në asnjë gjendje sepse është ligj fizik, dhe si i tillë është i pandryshueshëm. Feja nesër nuk do të jetë as subjektive e as objektive, por një histori ndërsubjektive, siç kujtohet sot Bashkimi Sovjetik, fuqia e sulltan Mehmetit ose parajsa komuniste, për hir të së cilës bota rrezikonte zhbërjen. Ato për kohën ishin të fuqishme, por sot janë të pavlera, sepse askush nuk beson më në to.
PS: Ashtu siç qeshim ne sot me histori të dikurshme provinciale, pasnesër do të na përqeshin për besimin tonë naiv.