Humbja në “Fadil Vokrri” e Kosovë në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve nga Rumania ka zhgënjyer jopak komitetin e futbollit, megjithatë skuadra u kundërpërgjigje shpejt dhe në sfidën e dytë që e zhvilloi si mysafirë ndaj Qipros, shkëlqeu duke fituar me rezultat 4:0.
Liga e Kombeve është një cikël kualifikues, kështu që deri në fund kanë mbetur edhe shumë ndeshje dhe gjasat për ecje tutje janë të mëdha, madje edhe përmes vendit të dytë.
Këtë herë skuadra që përfundon në pozitën e dytë luan në “Play-Off për Ligën B, kështu që asgjë nuk ka përfunduar dhe entuziazmi në ekipin kombëtar është i madh, sidomos për faktin se skuadrës i janë shtuar tre futbollistë shumë cilësorë.
Ardhja e Elvis Rexhbeçajt, Fisnik Asllanit dhe Elion Bujupit bëri që ekipi të duket më stabil dhe se e ardhmja e tyre në fanellën kombëtare është e ndritur.
Gjithsesi, tensione ngriti shumë suspendimi i tre futbollistëve Edon Zhegrovës, Florent Muslijajt dhe Aro Muriç. Të tre kishin thyer rregulloren e përpiluar nga Federata dhe trajneri Franco Foda, dhe sipas Ballkani.info, vendimi ka qenë i përbashkët. Pra FFK dhe Foda kanë vendosur t’i lënë jashtë liste për ndeshjen me Qipron.
Është e çuditshme sesi erdhën pastaj disa reagime në mbrojtje të këtyre tre futbollistëve, ani pse e pranonin se thyerja e rregullores është e dënueshme. Ata sikur i nxisnin që edhe në të ardhmen futbollistët e Kosovës, e sidomos ata që janë më të veçuar, janë të lirë të bëjnë veprime të tilla.
Një është e qartë, si Edon Zhegrova, si Arjanet Muriç, ashtu edhe Florent Muslija që luajnë në Ligat më të forta në botë, Francë, Angli e Gjermani, nuk kanë nevojë fare për mbështetje të atyre që interesin e kanë parësor. Ngritjen në karrierë ata e kanë bërë me punë dhe me cilësitë e tyre, pa ju ndihmuar askush, kështu që as tash ata fare nuk kanë nevojë për këshilla dhe mbështetje të “analisteve”.
Ajo që i duhet Kosovës në këtë kohë, është bashkimi dhe të gjithë të funksionojnë si një grup në mënyrë që ta bëjmë më të lehtë rrugën e tyre drejt kualifikimit, pasi gara është e hapur dhe me një mbështetje të madhe ata mund t’ja dalin të na bëjnë krenar siç na kanë bërë edhe më herët. /Ballkani.info