Albin Kurti në tavolinë me Goran Vasiljeviç, të dyshuarin si bashkëpunëtor i BIA-s – i njëjti është punësuar edhe në Ministri te Liburn Aliu

Të ulur në një tavolinë, diku në Kosovë, kryeministri Albin Kurti dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, janë fotografuar me Goran Vasiljeviç, një serb nga Shtimja, i njohur si nacionalist serb dhe i afërm i ish-shefit të Ushtrisë Serbe në kohën e Slobodan Millosheviç-it, Nebojsha Pavkoviç dhe po ashtu famëkeq-it “Kapetan Dragani”, Dragan Vasiljkoviç, i dënuar për krime lufte.

Goran Vasiljeviç, një serb i Kosovës, një figurë kontroverse, madje edhe punonjës në institucionet e Kosovës, gjë që e bën këtë takim delikat.

Sipas burimeve të Albanian Post nga Policia e Kosovës, Vasiljeviç është i dyshuar nga organet e sigurisë në Kosovë si bashkëpunëtor i Agjencisë së Inteligjencës së Sigurisë së Serbisë, e njohur si “BIA”.

Ai dyshohet se kishte lidhje me grupin e agjentëve serbë që kishin ardhur në Kosovë për të blerë dëshmitarë duke iu ofruar atyre shuma të majme parash në këmbim të deklaratave të tyre për trafikim të organeve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Në një operacion, pasi ishin siguruar prova edhe me video, policia atëherë kishte arrestuar spiunët Igor Juqillad, Millutina Radonoviç dhe Predrak Zhelkoviç.

Në një nga fotot që ka siguruar Albanian Post, Vasiljeviç është në anën e djathtë të Dragan Vasiljkoviç, ish-komandant i forcave paramilitare serbe të quajtura “Kninjas”, ndërsa bashkë me ta është edhe ish-shefi i Ushtrisë Serbe, Nebojsha Pavkoviç.