Çmimet e disa produkteve ushqimore në vend vazhdojnë të ngritën vazhdimisht. Për këtë, ankohen qytetarët, të cilët shprehen se jeta e tyre po u rëndohet çdo ditë e më shumë me çmimet e larta, kjo për shkak të ardhurave të ulëta që ata kanë, ndërsa kërkojnë nga institucionet përgjegjëse të marrin masa.
Në tregun e gjelbër në Prishtinë, qytetarët këtë javë kanë paguar deri 1 euro për kilogram në disa perime, derisa shprehen të shqetësuar për këtë dukuri. Njëjtë vlerësojnë edhe ekspertë të ekonomisë, të cilët thonë se Kosova vazhdon të përballet me inflacion të lartë. Qytetari Xhemailadin Arifi, i cili ndodhet përkohësisht në Kosovë, thotë se çmimet janë të larta në krahasim me të ardhurat që marrin qytetarët në vendin tonë.
E derisa krahason çmimet në vendin ku jeton, Amerikës me Kosovën, thotë se disa produkte atje janë më lirë.
Edhe një qytetare tjetër, Drita Kazazi ankohet për çmimet e larta, derisa thotë se me një pension 100 euro mezi arrijnë t’ia dalin. Po ashtu, edhe qytetari tjetër i cili mundohet t’ia dalë me një pension, Skender Jashari, thotë se çmimet janë të larta. Ndërsa, shton se po presin t’u dalë pensioni që të mund të furnizohen me perime, pasi sicc thotë ai, tashmë është edhe koha e turshive.
Ndërkaq, njohës të ekonomisë derisa kërkojnë nga institucionet të sigurojnë mbrojtje sociale edhe në aspektin e ushqimit, të cilat janë të rëndësishme për jetën e qytetarëve, thonë se gjatë këtyre tre viteve, kjo dukuri ka marrë përmasa alarmante.
Profesori i ekonomisë Muhamet Sadiku thotë se inflacioni i paraqitur në Kosovë ka karakter global
Edhe njohësi tjetër i ekonomisë, Sejdi Rexhepi thotë se shteti është dashtë të bëjë më shumë në këtë drejtim. Në anën tjetër, shitësit Ismet Baliuankohen për rënien e blerësve. Baliu thotë për KosovaPress, se çdo vit e më pak po kanë punë.
Kujtojmë se edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës ka njoftuar se indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2,2% në korrik të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Inflacioni mujor ishte 0,3% në korrik 2024.