Lajçak thotë se Serbia e ka tërhequr letrën e Bërnabiqit për marrëveshjen, Gërvalla: Besoj që flet për tërheqje të pjesshme

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar sot se Serbia e ka tërhequr letrën që ia kishte dërguar vitin e kaluar BE’së, për marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe aneksin për zbatim, raporton Express.

Këtë deklaratë, Lajçak e dha pas takimit me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, ku konfirmoi se janë marrë vesh për datën e takimit të ardhshëm në nivel të kryenegociatorëve.

Lajçak tha se marrëveshja është e vlefshme në tërësinë e saj dhe se po punojnë në implementim.

“Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht obligative në tërësinë e saj dhe jemi duke punuar në implementim. Asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe kemi diskutuar edhe me Kosovën, edhe me Serbinë, si të përshpejtojmë zbatimin. Letra (e ish-kryeministres Ana Bërnabiq) është tërhequr. Ka deklarata këtu, atje që nuk ndihmojnë fare. Por marrëveshja si e tillë është e vlefshme në tërësinë e saj dhe përtej kësaj, marrëveshja tashmë është bërë pjesë e rrugës evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi Lajçak para gazetarëve.

Lidhur me këtë deklaratë u pyet Kryediplomatja Donika Gërvalla. Gërvalla tha se nuk ka ndonjë informacion nëse Serbia e ka tërhequr këtë letër, por shtoi se beson se Lajçak e ka pasur fjalën për tërheqje të pjesshme.

“Përderisa kemi qenë në takimin me Ministrin Fidan, është mbajtur edhe konferenca e Lajçak. Prandaj nuk kam asnjë lloj informacioni për ndonjë hap tjetër të ri të Serbisë lidhur me tërheqje të çfarëdo lloj dokumenti. Besoj që z.Lajçak, fjalën e ka për një tërheqje të pjesshme të asaj letre të ish-kryeministres Ana Bërnabiq, e cila megjithatë nuk tërhiqet nga mosnjohja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, gjë që është tërësisht një qasje e papranueshme për ne si Republikë”, tha Gërvalla në konferencën që mbajti pas takimit me Kryediplomatin e Turqisë, Hakan Fidan.

Gërvalla përsëriti kërkesën për rishikim të tërësishëm të procesit të dialogut.

“Ne kemi nevojë për një rishikim të procesit në tërësi kemi nevojë që personat e ri që vijnë në Bruksel dhe marrin detyrat e reja të kenë një strategji të qartë se ku çon procesi i negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, edhe si do të duket ky proces. Ne kemi një marrëveshje vitin e kaluar në shkurt, kemi edhe marrëveshjen e arritur në Ohër. Ne presim që të gjitha palët t’I përmbahen zotimeve të tyre. Mirëpo, sic e kemi parë deri më tani, Serbia është shumë larg…”, deklaroi Gërvalla.

Ndryshe, Kryeminisitrja e atëhershme e Serbisë, Ana Bërnabiq, dhjetorin e vitit të kaluar i dërgoi BE-së një letër, përmes së cilës, Serbia shprehu rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve, të arritur në Bruksel, dhe Aneksin për zbatim, të arritur në Ohër.

Në atë letër u tha, mes tjerash, se marrëveshja është e pranueshme vetëm në një kontekst që nuk i referohet njohjes de facto dhe de jure të Kosovës.