Paralajmërimi i serbëve për bllokada, Rrecaj parashikon lëvizje edhe brenda Kosovës

Serbët kanë paralajmëruar se të premten do të bllokojnë pikat kufitare me Kosovën.

Lidhur me këtë paralajmërim, ish-hetuesi policor, Hysen Rrecaj, parashikon se do të ketë lëvizje edhe brenda Kosovës.

Sipas Rrecaj, do të ketë individ të cilët do t’i përgjigjen ftesës dhe do ta mbështesin bllokadën e paralajmëruar në veri.

“Unë mendoj se do të ketë lëvizje edhe brenda Kosovës, sepse me patjetër do të ketë individ që do ta mbështesin atë bllokadën që është paralajmëruar, në pjesën tjetër të Kosovës dhe është e pamundshme që të besoj se një pjesë e qytetarëve nuk do t’i përgjigjen ftesës, qoftë edhe për të shkuar në pjesën tjetër, mirëpo një pjesë edhe mund të solidarizohen me ata andej duke vendosur barrikadat”, ka thënë ai.

Tutje, Rrecaj, ka thënë se nuk mund të parashikohet nëse do të ketë trazira, mirëpo shpreson që Policia ta menaxhojë situatën mirë, pasi sipas tij, mbështetja popullore për grupet kriminale që nxiteshin në protesta ka rënë.

“A do të ketë trazira ose jo nuk mund të parashikohet, se është çështje që nuk  mund të parashikohet, mirëpo çka unë vërej në kohën e fundit, është se mbështetja popullore për grupet kriminale, të cilat i kanë nxitur nëpër barrikada ose nëpër protesta ka rënë, e nëse kemi një rënie të mbështetjes popullore, shpresoj që Policia e Kosovës t’a menaxhojë mirë ditën e nesërme dhe ditët në vijim”, ka shtuar ai.