Si e rrëzuan “rrjetet sociale” Kryeministrin në matematikë

“X-i pesë, pesëshe pra”, tha Albin Kurti dhe e la shkumësin poshtë dërrasës në një shkollë të përuruar dje në Podujevë, pasi e shkroi shpejt dhe gabimisht rezultatin e një ekuacioni të thjeshtë matematikor. Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i qytetit, Shpejtim Bulliqi duartrokitën pa e kuptuar huqjen, ashtu sikur edhe mbështetësit e kryeministrit në rrjetet sociale. Shefi i Qeverisë iu kërkoi falje nxënësve duke e korrigjuar veten më vonë, por iu dha përdoruesve të rrjeteve sociale një arsye të mirë për t’u tallur.

Gazeta Express

Lexo Edhe:
-(3x) – (-5) = (-5x) – (-2) +3. Zgjidhja e këtij ekuacioni kryeministrit Albin Kurti i doli kështu: X = 0. Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi duartrokitën fort kur ai e la shkumësin poshtë dërrasës së klasës 7/1 të shkollës fillore “Ali Hadri” në fshatin Obranqë, të cilën e përuruan të mërkurën.
“Kryeministri Kurti tregon aftësitë e tij edhe në matematikë”. Me këtë përshkrim qarkulloi në Facebook një video ku shefi i Qeverisë shihej duke i dhënë rezultat të gabuar ekuacionit të lënë në gjysmë të zgjidhjes. “X-i pesë, pesëshe pra”, thotë në fund, duke iu drejtuar nxënësve, ndonëse nuk e kishte përcaktuar saktë se cila vlerë e ndryshores e bën barazimin.

Fotografinë e Kurtit me detyrën me rezultat të gabuar e publikoi edhe faqja e Komunës së Podujevës në Facebook.

Siguria e kryeministrit se e zgjidhi saktë detyrën, i entuziazmoi edhe shumë mbështetës të tij që e panë videon. “Njeri i mequm Na ka Beku Zoti”, shkroi njëri. “Gjigant bre tjert kishin met qaty drras tzez ishin hup”, shkroi një tjetër.

Më pak ishin ata komentues që e evidentuan gabimin. “Gabim kryeministër”, saktësoi njëri.

Kur kjo video u përhap shpejt në rrjetet sociale, reagimet për gabimin e Kurtit u shpeshtuan.

Kurti doli me një postim në Facebook për ta korrigjuar veten: “Kërkimfalje nxënësve të klasës 7/1 të shkollës fillore “Ali Hadri””.

Tha se po të mendonte pak do ta shihte gabimin.

“Të dashur nxënës, Ju falemnderit për mikpritjen e përzemërt në ndërtesën e re të shkollës suaj. Gëzimi juaj sot më mbushi me mall për bankat shkollore. Por, më duhet të them që tash jam i gëzuar që nuk isha nxënës në atë çast, sepse nuk do të merrja notë kaluese. Ekuacioni i thjeshtë matematikor m’u duk që në sekondën e parë që e ka zgjidhjen x=5; pra pesë, porsi pesëshet që ua dëshiroj juve. Po të mendoja pak, do ta shihja që zgjidhja e saktë është x=0, por në atë rast, nuk besoj që do të merrja mundin të merrja shkumësin e të shkruaja në dërrasën e klasës suaj. Ju kërkoj falje. Zgjidhja e atij ekuacioni, ashtu qysh ju e dini më mirë se kryeministri i juaj, është x=0. Ju përshëndes e ju dua fort, Albini”, shkroi Kurti.

Detyrën e zgjidhur si duhet e publikoi në Facebook nënkryetarja e LDK-së Hykmete Bajrami. “Kështu i keni të llogaritura shifrat edhe në ekonomi”, shkroi ajo.

Me këtë ironizoi pak në Facebook edhe deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

“Ekuacioni është matematikë. Matematika është numër. E numri bëhet ekuacion që bëhet matematikë. Me respekt Digitroni ynë, Albin Kurti”, shkroi ai.

Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, përmes një “detyre” shkroi se si duket sipas tij qeverisja e Albin Kurtit matematiskisht.

“Ne në Kuvend e kemi pa që për 48 muaj, kjo qeveri amaterësh, çdo ditë, e ka quar kot. Matematikisht kështu duket qeverisja e tij.

48 – 48 + X x (365 – 365) = 0

0 + X x 0 = 0

0 = 0

Dhe mos të harrojmë, për populizmin e X kemi (- ∞. ∞) A keni nevojë për kalkulator?”, shkroi ai në një postim në Facebook.

Mbështetësit e mbrojtën kryeministrin me arsyetimin se edhe ai mund të gabojë.

Deputeti Mefail Bajqinovci në “X” e rikujtoi kërkimfaljen e Kurtit, ndërsa në rrjetet sociale u bënë shumë tallje.

“Detyra ka gabu najsen jo Kurti”, ishte një koment.