Janë barna shumë të shtrenjta, me kosto të madhe por që kanë efektivitet : Mjeku i njohur tregon problemin qe zakonisht

Nga Dr. Alket Koroshi:

Artriti reumatoid është sëmundja më e shpeshtë nga grupi i sëmundjeve që prek sistemin muskuloskeletik, e cila prek 1 deri në 3% të popullatës mbi 15 vjeç.

Është sëmundje kronike, multisistemike, deri tani me shkaqe jo të njohura mirë.

Artriti karakterizohet nga inflamacioni i vazhdueshëm i cipës sinoviale, është membranë që mbështjell artikulacionet, sjell dëmtim të kapilarëve, erozion kockor, deformime kockore me pasojë pamundësinë në lëvizjen e artikulacioneve.

Ai shpjegon se si duhet të veprohet në rastet që kjo sëmundje prek dhe cilat janë zgjidhjet më të fundit të shkencës për të.

Si shkaktarë për shpërthimin e sëmundjes përmendim disa:

Faktorët gjenetikë

Faktorët endokrinë dhe riprodhues

Faktorët infeksioz

Faktorët e mjedisit

Faktorët social-ekonomik

Te faktorët infeksioz kryesisht akuzohen si shkaktarë të sëmundjes disa viruse, mykoplazmat, retroviruset, virusi Epstein barr etj.

Te faktorët mjedisorë dhe socio-ekonomik përmenden disa shkaktarë, për shembull është vënë re që te punonjësit që punojnë te minierat e qymyrgurit, ata në industrinë e peshkut, kanë incidencë më të lartë të artritit reumatoid.

Gjithashtu alkooli dhe duhani akuzohen si faktorë riskues për artritin reumatoid. Ndërsa nuk ka ndryshime në shpeshtësinë dhe gravitetin e sëmundjes në varësi të statusit social-ekonomik. Sëmundja prek si të pasurit, ashtu edhe të varfrit. Morboziteti (shpeshtësia e sëmundjes) dhe mortaliteti (vdekshmëria) është rritur shumë. Sëmundshmëria dhe vdekshmëria është më e lartë tek femrat sesa tek meshkujt dhe te ata me nivel të ulët arsimor. Sa më i paditur, aq më keq mjekohesh.

Lidhur me faktorët gjenetikë, është vënë re se ka një prevalencë mjaft të rritur tek pjesëtarët e një familje. Vuan nëna, vajza, djali, motra. Sëmundje në pjesëtarë të së njëjtës familje. Është vënë re te binjakët që ngjasojnë, që quhen monozigotë, shpeshtësia e sëmundjes është 4 herë më e rritur se tek ata që nuk ngjasojnë, që quhen bizigotë.

Janë disa të dhëna mjaft interesante, ku te gratë shtatzëna rastet e reja të fillimit të sëmundjes janë më të ulëta. Pra, gjatë shtatzënisë rrallëherë fillon artriti reumatoid. Por menjëherë pas lindjes, shpeshtësia e sëmundjes është 5 herë më e shpeshtë sesa gjatë shtatzënisë. Ndërsa gjatë shtatzënisë, të sëmurat me artrit reumatoid përmirësohen shumë mirë, aq sa mund të ndërpresin dhe mjekimin. (Sigurisht, e kam theksuar edhe më parë, gratë që vuajnë nga artriti reumatoid dhe marrin mjekim, duhet të flasin patjetër me mjekun para se të ngelin shtatzënë, që të mos kenë probleme)

Gjithashtu, ka mjaft të dhëna për kontraceptivët apo terapinë zëvendësuese hormonale, ku thuhet se rëndojnë apo ndikojnë në ecurinë e sëmundjes. Do të thotë që estrogjenët (hormonet estrogjenike) kanë efekt stimulues në sistemin imunitar, rrisin aktivitetin e sistemit imunitar dhe mund të agravojnë së tepërmi sëmundjen. Të sëmurat me artrit reumatoid kanë vënë re që edhe gjatë periudhës menstruale kanë rëndim të simptomave të sëmundjes.

A ka formë parandalimi kjo sëmundje?

Jo, për fat të keq nuk ka formë parandalimi. Por te masat parandaluese mund të përmendet rëndësia e kapjes së sëmundjes në kohë. Nëse kapet shpejt në kohë, mundësia e trajtimit është shumë më e mirë dhe ecuria është e mirë. Me mjetet që disponon mjekësia sot, një i sëmurë me artrit reumatoid mund të mbahet në gjendje të qëndrueshme që sëmundja të mos përparojë.

Trajtimi?

Ka disa lloje trajtimesh. Është e rëndësishme që i sëmuri të njihet me sëmundjen se çfarë është. Ka shumë të sëmurë që abuzojnë: përdorin barna popullore, nuk duan ta besojnë që u ka filluar një sëmundje e rëndësishme , e nënvlerësojnë ndonjëherë situatën që kanë për arsye objektive ose subjektive. Problemi është se ka shumë raste kur pacientët vijnë në gjendje të rëndë.

Në rastin e artritit reumatoid mjeku ka disa qëllime:

Të qetësojë dhimbjet përmes medikamenteve.

Qëllim tjetër është parandalimi i dëmtimit përfundimtar të artikulacioneve.

Të informohet pacienti për sëmundjen.

Duhet të bëhen terapi me ushtrime, të cilat ndikojnë mbi lëvizshmërinë e artikulacioneve.

Terapi me pajisje ndihmëse për aktivitetin ditor në punë dhe në shtëpi: përdorimi i qaforeve, i gjunjëzave, të patericave.

Trajtimi duhet të fillojë sa më herët dhe duhet të jetë i personalizuar, nuk ka skema fikse për të gjithë të sëmurët me artrit reumatoid.

Te barnat që përdoren ka disa linja mjekimi dhe të parët janë anti-inflamatorët josteroidë. Një grup barnash që frenojnë inflamacionin.

Pra, stadi i parë fillon me anti-inflamatorët josteroidë: qetësojnë dhimbjen, inflamacionin, janë barna të cilat kanë efekt të përkohshëm ose kryesisht simptomatik, nuk shërojnë sëmundjen. Vetëm qetësojnë simptomat.

Meqë këto medikamente nuk japin atë rezultatin e duhur, te të sëmurët shtohet doza, të vogla jo më shumë se 10 ml kortizonik. Në varësi të stadit të sëmundjes, mjeku vlerëson barnat e tjera që përdoren. Janë disa barna që quhen barna modifikues të sëmundjes, të cilat janë: metotraxati, aziatoprina, salazopyrina etj. Prej këtyre, disa janë citostatikë, imunosupresorë, përdoren dhe në sfera të tjera të mjekësisë, në patologjitë malinje, por janë barna që gjejnë përdorim të gjerë në reumatologji, sepse frenojnë hiperaktivitetin e sistemit imunitar.

Kur këto barna nuk japin përsëri efekt, për fat të mirë janë zbuluar dhe një grup i madh medikamentesh që quhen barnat biologjike.

Janë barna përafërsisht me efekte të njëjta, siç ishin dhe barnat imunosupresorë që përmendëm më lart, që veprojnë në sistemin imun, veprojnë në hallka të ndryshme të inflamacionit dhe frenojnë sëmundjen.

Janë barna shumë të shtrenjta, me kosto të madhe por që kanë efektivitet. Në mjekimet që duhet të përmend, është edhe mjekimi kirurgjikal që u bëhet këtyre të sëmurëve. Kirurgjia korrigjon pozicionet vicioze të artikulacioneve, deformimet e artikulacioneve, deri në protezim të artikulacioneve të cilat kanë dalë jashtë përdorimit.