Nga mjeku Isuf Kalo
Veprimtaritë fizike ushtrimore janë jo vetëm të nevojshme për krijimin e ekuilibrit glicemik të diabetit, por ato janë dhe një mjet për të ndaluar e luftuar sëmundjet e tjera si arteriosklerozën, dhjamosjen, depresionin etj.
Ushtrimet fizike, puna e aktiviteti muskular, i japin organizmit forcë, gjallëri, e rinojnë atë.
Njerëzit që merren rregullisht me veprimtari të tilla i kanë arteriet në gjendje më të mirë, organizmin më në harmoni dhe jetëgjatësinë më të madhe.
Duke u marrë me to, tretet jo vetëm dhjami e sheqeri i tepërt, por edhe mërzitja apo ndjenja e ankthit që jo rrallë ata e fshehin brenda tyre.
Për moshat e mëdha janë veçanërisht të këshilluara ecjet në këmbë në formë shëtitjesh të gjata, sidomos në natyrë, të cilat nuk krijojnë lodhje por, përkundrazi, janë të këndshme e të lehta.
Edhe ecja me biçikletë, pa u lodhur, është një formë që duhet të gjejë përdorim sa më të madh.
Sipas mundësive mund të përdoret pingpongu, noti, lodrat me dorë si volejbolli, të cilat ndihmojnë dhe për rënien në peshë, si dhe për të mbajtur organizmin në një formë sa më të mirë.