Ndodhi sërish! Gati e la pa fustan në ditën e dasmës, nusja denoncon Valdrin Sahitin

Me siguri jeni hasur nëpër rrjete sociale (sidomos në Tik-Tok) me ankesa që kliente të thjeshta në mbarë botën kanë patur për punën e Valdrin Sahitit.

Stilisti shqiptar, i cili ka marrë edhe vëmendjen e Beyonce, Mariah Carey, Nicki Minaj etj. me punën e tij, në fakt e “përzgjedh” paksa klientelën të cilës i shërben shumë mirë, ose lë për të dëshiruar. Nëse je “VIP”, do të dalësh i kënaqur nga stilisti. Nëse je një qytetar i thjeshtë, do të kesh me siguri ankesa të njëjta me jo pak ankesa që po qarkullojnë prej kohësh në rrjet.

Ju kujtohet kur ju tregonim disa raste klientesh të thjeshta, që demaskonin punën e Valdrin Sahitit?

Lexo këtu: Nga ‘photoshop’-i i manekinëve dhe deri te fustanet jo cilësore, klientet e thjeshta demaskojnë punën e Valdrin Sahitit!
Epo, ka ndodhur sërish! Një vajzë në Tik-Tok, Sahar Khorram, i kishte besuar Sahitit dhe stafit të tij katër fustanet e dasmës, që do të mbahet në fund të muajit gusht. Gjithçka dukej në rregull, deri në momentin që Sahar kërkoi të shikonte progres me fustanet në fillim të këtij muaji, ndërsa stafi ju përgjigj se “nuk kishin gati asgjë”.Në gjendje paniku, e reja nisi t’i kërkonte llogari teksa tregon të gjithë rrjedhën e bisedës në llogarinë e saj në Tik-Tok, ndërsa papërgjegjshmëria e Sahitit dhe bashkëpunëtorëve të tij ishte e frikshme.

“Që atëherë, 3 javë e gjysmë i kam kaluar e lënë ‘seen’, më kanë gënjyer, më kanë bërë presion psikologjik dhe janë treguar të pasjellshëm”- shprehej Sahar më 23 gusht, pa marrë ende asnjë prej fustaneve të saj.

Megjithëse kishte bërë një pagesë të madhe parash për fustanet, historia e mashtrimit vazhdoi me stafin e Sahitit që i kërkoi 400$ ekstra, për t’ia dërguar fustanet me Express DHL. Por, ata e kishin dërguar postën për “3 to 5 business days” dhe jo me urgjencën të cilën klientja i kërkonte, apo pagesën të cilën morën.

Sahar Khorram, që gjithashtu është avokate, premtoi në videon e saj se do ta ndiqte penalisht Valdrin Sahitin për gjithçka që kishte ndodhur, kur papritur pas postimit të videove në Tik-Tok, stafi i tij u bë i gjallë dhe kërkoi të ndihmonte klienten, duke u shfaqur të gatshëm jo vetëm të ‘shpaguanin’ por edhe të dërgonin dikë në Paris (ku do të mbahet dasma) për të rregulluar fustanet që nuk i bënin nuses së ardhshme. Madje, paturpësisht kërkuan edhe fshirjen e videove për të sheshuar gjërat mes tyre.