Mysafirët nga Serbia – Kurtit: Beogradi po planifikon t’i zhvendosë serbët e Kosovës në Sanxhak

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Sonja Biserkon, themeluesen dhe presidenten e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.

Bashkë me të në takim ishin dhe Nenad Çanak, politikan serb, bashkëthemelues dhe ish-udhëheqës i partisë së qendrës së majtë, Lidhja e Social Demokratëve të Vojvodinës, si dhe Mark Baskin, profesor dhe drejtor i Qendrës për Dialog Humanitar.

Në këtë takim, Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se kanë diskutuar për situatën dhe zhvillimet në rajonin e Ballkanit perëndimor, vullnetin dhe shanset për integrim në BE dhe NATO, e në veçanti për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Gjatë takimit, Biserko, Çanak dhe Baskin e njoftuan kryeministrin se po flitet që Beogradi zyrtar po planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës, sidomos atyre nga veriu, për në Sanxhak, ku siç po thuhet po ndërtohen shtëpi dhe banesa për ta. Ata apeluan te Kryeministri Kurti që të përpiqet të parandalojë një skenar të tillë”, thuhet në komunikatë.

Ndërkohë, Kurti ka ritheksuar rëndësinë e demokracisë, sundimit të ligjit dhe barazisë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe posaçërisht përfshirjen e komunitetit serb në të gjitha aspektet e ekonomisë dhe shoqërisë.

“Më tej, kryeministri i njoftoi mysafirët e tij për të drejtat që gëzojnë komunitetet joshumicë në Republikën e Kosovës, si dhe për përpjekjet që Qeveria po bën për rritjen e mundësive për këto komunitete në shumë fusha si arsimi, punësimi dhe siguria e tyre”./teve1.info/