Hoxhaj: Kurti dhe qeveria e tij e izoluan Kosovën si kurrë më parë – nga Uashingtoni deri në Pacifik, Berlin e Paris

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj thotë se kryeministri Albin Kurti dhe qeveria e tij e kanë bërë një Kosovë pa kurrfarë politike të jashtme dhe pa asnjë aleat në rajon.

Hoxhaj përmes një shkrimi në Facebook thotë se izolimi që i është bërë Kosovës vjen si pasojë e një qeverie passive dhe të paditur në marrëdhënie ndërkombëtare.

“Izolimi, pos që është pasojë e një qeveri pasive dhe e paditur të Kosovës në marrëdhënie ndërkombëtare, atij i është shtuar edhe politika e ledhatimit të Serbisë nga Berlini dhe Parisi, ku për interesa afatshkurtra gjeopolitike dhe ekonomike, është duke u rrezikuar rendi i krijuar në Ballkan me përfundimin e luftërave në Jugosllavi”, shkroi Hoxhaj.

Tutje, Hoxhaj thekson se Kosovës i duhet një qeveri e cila e nxjerr vendin nga izolimi.

“Kurrë më shumë se tash, Kosovës i duhet një qeveri e cila e nxjerrë vendin nga izolimi dhe komunikon edhe karshi partnerëve të saj gabimet strategjike që po bëhen me ledhatimin e Serbisë, gjë që sot është gabim, por do të jetë edhe në të ardhmen”, tha ai./Telegrafi/