Posta e Kosovës ka njoftuar se përmes Filatelisë së saj nga sot ka lëshuar në qarkullim postar emisionin e pullave postare “Cjapi i bronztë”.
Figura e bronztë e cjapit të ulur që i takon shek. VI p.e.s. bazuar në të dhëna të shkruara, është zbuluar rastësisht në vitin 1939, diku në Jaglenicë, lagje periferike e Prizrenit. Kjo figurinë ka gjatësi prej 6,5 cm dhe gjerësi rreth 3 cm, ndërsa peshon 380 gram. Figura e cjapit të ulur sot gjendet e ekspozuar në Muzeun e Vranjës.
E kjo nuk i ka pëlqyer Serbisë, ku atje ka reaguar Ministria e Kulturës, e cila ka thënë “se kjo është një tentativë për keqpërdorim të trashëgimisë kulturore dhe bëjnë pretendime dhe insinuata të rreme me qëllim të promovimit të pavarësisë së shpallur të njëanshme të Kosovës dhe krijimit të një identiteti kulturor inekzistent”.
Ata kanë mohuar se artefakti i përmendur ndodhet në Muzeun e Vranjës.
“Ministria thekson se në kontekstin e përndjekjes dhe rrezikimit të përditshëm të të drejtave elementare të serbëve në Kosovë dhe Metohi, në një situatë kur institucionet e përkohshme në Prishtinë padyshim që nuk kanë ndërmend të ndriçojnë qoftë edhe një sulm ndaj kishave serbe, manastiret, varrezat dhe monumentet e kulturës, Prishtina vazhdon të manipulojë, revizionizmin dhe falsifikimet e historisë dhe kulturës, si pjesë e agjendës së saj të njëanshme dhe shkatërruese, si rregull, përvetëson dhe vjedh atë pjesë të trashëgimisë kulturore, e cila vetëm falë rastësia e rrethanave, i mbijetoi vandalizmit”, thotë Ministria atje.