Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka bërë thirrje mërgimtarëve që të regjistrohen.
Ai ka thënë se afati për t’u regjistruar është deri më 31 gusht.
Kurti ka shtuar se regjistrimi është i shpejtë dhe i lehtë, por sipas tij ka ndikim të madh.
“Regjistrimi është i shpejtë dhe i lehtë, por me ndikim të madh. Të dhënat tuaja do të ndihmojnë në krijimin e politikave që mbështesin mërgatën, përmirësojnë shërbimet, si dhe forcojnë lidhjet kulturore dhe arsimore me atdheun”.
Postimi i plotë:
Të dashur mërgimtarë,
Procesi i regjistrimit si qytetarë jo rezident të Republikës së Kosovës është mundësia juaj për të forcuar lidhjen me atdheun.
Duke u regjistruar, ju bëheni pjesë aktive e ndërtimit të së ardhmes së Kosovës dhe të vetë mërgatës.
Përdorni të drejtën tuaj kushtetuese dhe regjistrohuni online përmes platformës e-diaspora deri më 31 gusht 2024.
E krahas platformës e-diaspora, ju mund të informoheni dhe sipas nevojës edhe të ndihmoheni për t’u regjistruar, në objektet e komunave rajonale të Kosovës, nga zyrtarët e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Regjistrimi është i shpejtë dhe i lehtë, por me ndikim të madh. Të dhënat tuaja do të ndihmojnë në krijimin e politikave që mbështesin mërgatën, përmirësojnë shërbimet, si dhe forcojnë lidhjet kulturore dhe arsimore me atdheun.
Mërgata është pjesë e pandashme e kombit tonë, andaj ju ftoj që të regjistroheni secili dhe secila prej jush!
Ju faleminderit!