Biznesmeni milioner nga Mitrovica, Ekrem Peci, merr pagë nga Trepça pa shkuar “kurrë” në punë – i njëjti hapi kafenenë në veri

Ekrem Peci, pronar i kafenesë “C’est La Vie” në veri të Mitrovicës të cilës po i bën reklamë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është proceduar në komision disiplinor të Trepçës së fundmi. Insajderi ka marrë vesh se përveç që nuk shkonte në punë në Minierën e Trepçës edhe po merrte pagë rregullisht në kohën e krizës së pagave të minatorëve të Trepçës.

Ministri Sveçla dhe akterë të Lëvizjes Vetëvendosje i dhanë jehonë të madhe kafenesë “C’est La Vie”, e cila u privatizua nga biznesmeni Ekrem Peci në korrik të këtij viti. Peci privatizoi pikërisht hapësirën ku po operonte dikur lokali “Dolce Vita”, ku shfrytëzohej për takime në një kohë nga strukturat kriminale në veri.

Lokali i biznesmenit Peci u reklamua nga Sveçla, derisa para disa ditësh në media u shpërnda një fotografi duke pirë kafe në “C’est La Vie” teksa po ruhej nga Njësia Speciale në veri të Mitrovicës.

Insajderi ka marrë vesh se pronari i kësaj kafeje, Ekrem Peci, nuk është paraqitur në punë në Minierën e Trepçës pavarësisht se ka marrë pagë rregullisht. Ndonëse, nuk dihet se çfarë pozite ka mbajtur Peci në këtë minierë.

Insajderi po ashtu ka arritur të sigurojë dëshmi që tregojnë se Peci është paguar rregullisht nga shoqëria aksionare Trepça, pronar i së cilës është Qeveria e Kosovës. Ai pagën e fundit e ka marrë në qershor, në muajin kur nuk iu kishin ekzekutuar pagat minatorëve. Para syve të shtetit, paga e Pecit del të jetë si primare për të.