David Kanin, ish analist i agjencisë amerikane të zbulimit CIA, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq po luan me amerikanët si dhe me rusët, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Duke komentuar ngërçin e dialogut Kosovë-Serbi në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai ndër tjerash ka thënë se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti “duket se nuk po dëshiron të punojë askush”.
Kjo sipas tij, i jep avantazh Serbisë. Teksa është kthyer në historinë e para 25 viteve, ai ka thënë se Serbia dukej e izoluar.
Ndërkaq, tash siç shton ai, Serbia ka arritur suksese përmes diplomacisë të cilën është duke e ndjekur.
“Serbia sërish është shndërruar në shtetin më të rëndësishëm në rajon, që ka marrëdhënie të mira me të gjithë. Kosova, në anën tjetër, udhëhiqet nga një kryeministër me të cilin duket se askush nuk dëshiron të punojë. Dhe kjo i jep avantazh Serbisë…. Para 25 vitesh, kur NATO-ja zhvillonte fushatën bombarduese, Serbia dukej si humbëse, e izoluar. Tani Serbia është gjithçka tjetër v eçs humbëse, nuk është aspak e izoluar dhe ka shënuar suksese të shumta në diplomacinë që po ndjek”, ka thënë Kanin.
Ai për kryeministrin Kurti ka thënë se është “jopopullor jashtë Kosovës”, por shton se Kurti e ka të qartë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe do ta minojë shtetësinë e Kosovës.
“Kosova është para një situate shumë të vështirë, me një kryeministër që është jopopullor jashtë Kosovës, por që e ka të qartë që krijimi i asociacionit do të minojë sovranitetin e Kosovës”, shton ai.
Teksa komentoi dialogun, ai tha se presidenti serb përmes diplomacisë që po e aplikon po blen kohë, ndërkohë Kurti ka ngulur këmbë dhe provon të fitojë zgjedhjet e radhës.
“Serbët e dinë këtë gjë. Kosovarët e dinë gjithashtu. Vuçiçit ble kohë përmes avantazheve që ka siguruar përmes diplomacisë rajonale dhe kontakteve me udhëheqësit ndërkombëtarë, ndërkohë që Kurti ngul këmbë dhe provon të fitojë zgjedhjet e radhës dhe t’i mbajë larg serbët”, thotë ai.
“Ne nuk do të jemi në gjendje të imponojmë një demokraci liberale, shumë-etnike, transparente dhe perëndimore në rajon. Nuk do të jemi në gjendje të imponojmë paqe dhe fund të konflikteve. Kemi dështuar ta bëjmë këtë gjë gjatë tre dekadave të fundit. Mendoj se duhet t’i sfidojmë vendasit që të gjejnë mënyra për të punuar bashkërisht”, ka deklaruar Kanin.