”Dashni dhe pabesi” përfundon rrugëtimin, vëllëzërit Loshi mes lotësh tregojnë si u ‘tradhtuan’ nga producenti

Në një zhvillim të papritur dhe zhgënjyes për adhuruesit e serialit të njohur “Dashni e Pabesi”, vëllezërit Loshi kanë ndarë lajmin se seriali ka përfunduar papritmas.

Në emisionin SOL, aktori Imer Loshi duke rrëfyer ekskluzisht ka shprehur kritika të ashpra ndaj producentit për këtë vendim të njëanshëm, transmeton klankosova.tv.

“Meqë erdhëm këtu, do doja ta ndaj një lajm jo të mirë, sepse seriali ”Dashni dhe Pabesi” ka përfunduar me episodin e 68-të. Vendimin e ka marrë producenti. Vendimin e ka marrë njëanshëm sepse nuk kemi qenë të njoftuar, unë të paktën si skenarist nuk kam qenë i njoftuar”, tha Loshi, duke potencuar se ai dhe ekipi i tij ishin të përgatitur për të vazhduar me të paktën dy episode të tjera këtë sezon, me plane për të rifilluar në shtator.

Loshi gjithashtu shprehu zhgënjimin e tij të thellë për përfundimin e papritur të serialit, duke theksuar se historia meritonte një përfundim më të mirë.

“Jam i zhgënjyer në këtë rast dhe jam i dëshpëruar bukur shumë sepse do të doja të paktën ta jap një përfundim më të mirë. E ka merituar ky serial një përfundim më të mirë”, u shpreh ai me keqardhje.