Rama flet nga Dhërmiu: Kemi fluks të madh turistësh kudo, gojët e liga shpërndajnë teori keqdashëse

Këtë të premte, kryeministri i vendit Edi Rama, përmes një videoje të publikuar në llogarinë e tij në “Facebook”, ka folur nga Dhërmiu ku bëri të ditur se ka nisur pushimet, ku hodhi poshtë pretendimet se Shqipëria këtë vit, është braktisur nga pushuesit.

Sipas asaj që bëri të ditur kreu i qeverisë, nga Aeroporti “Nënë Tereza”, në vend janë futur rreth 1 milionë e 200 mijë pasagjerë.

Ndërsa, teksa citonte shifrat që vinë nga Morina, Rama theksoi po ashtu se nuk është aspak e vërtetë që këtë vit, Shqipëria është braktisur edhe nga shqiptarët e Kosovës.

Reagimi i Ramës:

Përshëndetje. Ca ditë pushim, si gjithnjë prej 10 vitesh, këtu në Dhërmiun magjik.

Mbrëmë mora të dhënat për hyrjet në Shqipëri, vetëm nga kufiri ‘Nënë Tereza’ dhe në pikën kufitare të Morinit dhe m’u duk e udhës t’i ndaj me ju. Nga aeroporti kanë hyrë thuajse 1 milionë e 200 mijë pasagjerë, mbi 350 mijë më shumë se sa vjet. Madje, këtë korrik është thyer edhe një rekord tjetër, ai i hyrjeve në një ditë të vetme, 44 mijë. Aeroporti ka arritur të operojë deri në 252 fluturime në ciklin e 24 orëve, një volum marramendës dhe i paimagjinueshëm deri pak vite më parë.

Fatmirësisht, për shifrat e aeroportit nuk mund të thonë dot gjë as ato gojët me qime të atyre që nuk pushojnë ‘u zbraz’ Shqipëria. Për numër pasagjerësh, Tirana e ka spostuar në vendin e dytë aeroportin e Beogradit, i cili historikisht ka qenë i parë në këtë rajon.

Pra edhe ajo teoria keqdashëse e përhapur në këtë sezon se shqiptarët e Kosovës e kanë braktisur Shqipërinë është një zero më xhufka.

Pushime të mbara”, shprehet Rama.