Nga i nxehti përvëlues te shirat e pandalshëm, Evropa mbetet nën “grackën” e motit ekstrem

Moti ekstrem dhe kaotik vazhdon të shkatërrojë Evropën, me reshje të mëdha shiu në pjesë të kontinentit dhe nxehtësi të zjarrtë në të tjera. Danimarka ka përjetuar 12 muajt e saj më të lagësht në histori, duke shkaktuar lagështi dhe myk të vazhdueshëm në shtëpitë e njerëzve.

“Kemi pasur 12 muaj me sasi të paimagjinueshme shiu. Gjithçka është e lagësht, duke përfshirë ndërtimin e shtëpive tona që nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për t’u tharë,“ tha Tue Patursson, ekspert në klimën e brendshme dhe inxhinierinë e ndërtesave.

Helene Ibsen, e cila është përgjegjëse për strehimin në kompaninë daneze të sigurimeve Topdanmark thotë se “incidentet ndryshojnë nga vërshimi i ujërave të zeza në bodrum deri tek uji që kalon nëpër çati”.

Sipas mediave lokale, lagjet Vejle dhe Vejen në Jutlandën juglindore tejkaluan sasinë e reshjeve të pritura në një vit brenda shtatë muajve të parë.

Në shkurt, pjesë të Vejles u përmbytën pasi dy ditë reshje të mëdha shiu pushtuan sistemin e kullimit të qytetit.
Ndërkohë në Spanjë, alarmet e temperaturës ekstreme u lëshuan gjatë gjithë korrikut pasi dy valë të forta të të nxehtit prekën vendin.

Një periudhë e “lehtësimit termik” pritet të fillojë këtë të enjte, por ka të ngjarë të mbetet e shkurtër pasi modelet e motit parashikojnë se një valë e tretë e të nxehtit është në rrugën e saj me temperatura që rriten mbi 40 gradë në disa zona.

Vala e parë e të nxehtit të verës në Spanjë zgjati tre ditë dhe u pasua nga një tjetër.

Autoritetet dhe ekspertët pajtohen se ndryshimi i klimës qëndron pas rritjes së temperaturave që po ushqen gjithashtu thatësirat e zgjatura dhe zjarret në Mesdhe dhe pjesë të tjera të botës.