“Dejona ia ka çu Rilindit të përkthym gatshëm lajmin”: Vazhdon shoshitja e skandalit të madh në RTK

“Nuk është ky lajm i rremë i llojit ‘e ka vjedh një çokollad ose tender’, por kësi lajmi i rremë me çka njerëzve mundet me të shku koka…janë rreziku jetët e rreth 60 gazetarëve të këtyre dy mediumeve”.

Kështu e dha gazetari Astrit Gashi në Debat Plus peshën e rëndë të gjendjes së krijuar pas botimit të një lajmi të rremë në Radio Televizionin e Kosovës – të marrë nga “Slobodna Bosna” medium ky famëkeq për nga prodhueshmëria e lajmeve të rreme, të evidentuar nga kontrolluesit e fakteve të çertifikuar ndërkombëtarisht.

Në këtë lajm të rremë, të një teksti pa autor, pa fakte, pa shifra objektive, të pabazuar në hiçasgjë përveç një burimi anonim – gjasat janë të mëdha, i vetëmbajturi për gazetar, Vudi Xhumshiti – që citohet të pretendojë se gjoja Nacionale dhe Periskopi financohet nga terroristi dhe lideri i formacionit paraushtarak të Bansjkës, Milan Radojiçiq.

Këtë tekst që RTK-ja e dha për “hulumtim eksluziv të të përditshmes sarajevase” pa asnjë përbërje hulumtimi me të por si tekst të ndërtuar me deklarata të një tjetër personazhi kontraverz si Boban Bogdanoviq; dhe në masë të gjerë u mbështet nga pushteti politik në vend.

“Kush është ai njeri, në çfarë pushteti duhesh me qenë me ba një lajm që i rrezikon jetën 60 personave, direkt? Këtu nuk ka ra vetëm etika, por etika njerëzore. Është thirrje për sulm. Për miliona pare nuk e bën këtë”, u shpreh në tonet më shqetësuese Astrit Gashi.

“Ky lajm në RTK abolutisht nuk u kanë rastësi, por e organizume. Me shumë gjasë nga jashtë dhe në RTK ka pas edhe presion për m’u publiku…Ka informata që ajo u lexu prej udhëheqes së lajmeve sepse askush s’ka dasht me marrë përsipër atë. Pra i është dërguar e shkruar për t’u lexuar…Ishte e organizuar. Tekst i papamë, jo që s’kena pa kurrë në media, por asnjë media nuk bën me publiku tekste të tilla, e RTK aty ka edhe përgjegjësi ekstra”, tha Gashi.

Gazetari Lirim Mehmetaj pretendoi të dijë krejt rrjedhën se si është nisur ky lajm i rremë deri në studion e lajmeve qendrore të RTK-së para dy dite.

“Qe me burime të brendshme, lajmi fillimisth ka shku prej Vetëvendosjes, i ka shku i përkthym nga Dejona Mihali, Rilind Gërvallës. Qe po të tregoj pse nuk shkarkohet kurrëkush. Rilind Gërvalla ia ka çu redaktores së uebit, Violeta Kosumit; kjo e fundit e ka postu qysh ia ka jep Rilindi; e ky ia ka dërgu edhe Jeton Musliut, ky i fundit ia ka heq emrat për m’e publiku. Këto janë të përfshimit”, tha Lirim Mehmetaj.

“Besnik Boletini është person i zgjedhur ekskluzivisht nga Dejona Mihali dhe i raporton Dejonës. Të lutem thirrma në studio dhe e ballafaqoj. Kjo është arsyeja pse nuk shkarkohet kurrëkush”, tha mes tjerash, Lirim Mehmetaj,

Gazetari Imer Mushkolaj, u shpreh se vetë arsyeja që askush nga bordi i RTK-së s’është dorëhequr do të bëjë “njollë në biografinë” e tyre.

“Kjo çka ka ndodh në bord ka me mbet njoll e rëndë në biografinë e tyre. Unë po të isha në vendin e tyre, isha dorëheq menjëherë. Unë nuk e kuptoj se si njerëzit që i thonë vetes profesionistë vazhdojnë me qëndru aty. E pafalshme”, shtoi ai.

Opinionisti tjetër në Debat Plus, Dibran Hoxha, e ka analizuar krejtësisht si përfshirje të qeverisë në transmetuesin publik me lajmin e rremë të “Slobodna Bosna”-s, për çka tha se e sheh që “këta, qeveria, po duan trubullira për m’e çu pluhën që të mbulojnë mospunën dhe keqqeverisjen”,

“Është e pashpjegueshme sepse është një amater i PR-it, siç jam unë, nuk e kisha bë gabimin e njëjtë, sepse ti je tu fut në dy beteja, e para që me bindjen tem qeveria e brendshme ka dështime katastrofale në të gjitha sferat dhe kjo m’e hap një betejë që është e humbur, siç janë me mediat, konkret për lajme të paverifikueme dhe hulumtime të papretendume”, tha Hoxha.

“Çka është pengesë për ty Nacionalja dhe Periskopi m’i ndërtu 160 cerdhe që i ke premtu, çka është pengesë për ty Nacionalja dhe Periskopi që nuk po mundesh me performu në PISA, Nacionalja dhe Periskopi çka po të pengojnë me ju paga të dinjitetshme për zjarrëfikësi te policët?”, ka thënë Dibran Hoxha në Debat Plus.