Blerim Latifi i thotë “lamtumirë” shtetit multietnik të Kosovës

Blerim Latifi ka thënë se vendimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës që posedojnë pasaporta të Serbisë, shënon fundin e shtetit multi-etnik të Kosovës.

Profesori i filozofisë politike tha sot se ky vendim do t’ua mundësojë serbëve të Kosovës që “ta përjetojnë edhe më shumë veten si pjesë të Serbisë”.

“Me vendim të BE-së serbët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në Zonën e Shengenit, me pasaporta të lëshuara nga Serbia, e në të cilat vendbanimet e tyre në Kosovë figurojnë sikur të jenë në Serbi. Kjo do t’ua mundësoj serbëve të Kosovës që ta përjetojnë edhe ma shumë veten si pjesë të Serbisë”, tha Latifi.

Me këtë vendim, sipas Latifit, është shkatërruar karakteri multi-etnik i shtetit të Kosovës.

“Pra lamtumirë shtet multietnik i Kosovës! Dhe ngushëllime gjithë atyre që shihnin ëndrra me sy çelë për nji komb multietnik kosovar!”, u shpreh ai.