“Babai i tij më kërkoi kostum për Fatonin”- Ish-deputeti: Ka fjetur në krevatin tim

Ish-deputeti Gani Geci është shprehur se ka qenë në të njëjtin burg në Kosovë me Faton Hajrizin, i cili u vra nga policia serbe, pas dyshimeve se ai ishte autori i vrasjes së një efektivi në Serbi.

Komentet Geci i bëri në emisionin “Review” në Euronews Albania, ku tha se Fatoni ka fjetur në krevatin e tij, kur ai ka dalë nga burgu.

Geci shtoi se pas daljes nga burgu, i ka dhuruar Fatonit të gjitha sendet që ai kishte në qelinë e tij.

Më tej Geci tha se i ati i Fatonit, pak ditë para se i biri të dilte nga burgu, i ka kërkuar kostum për të.

Ish deputeti tha se ia dha të atit të Fatonit kostumin dhe ai ia dërgoi të birit, por shton se më pas nuk ka marrë më vesh se çfarë ka ndodhur me 39-vjeçarin.

“Bideda e fundit me Fatonin ka qenë në ditën e fundit që unë jam liruar nga burgu. Ditën kur jam liruar unë nga burgu, Fatoni është futur në dhomën time, ka fjetur në krevatin tim dhe të gjitha sendet që kam pasur ia kam dhuruar atij. Dhoma ku ka qenë Fatoni ka qenë kati i dytë. Ajo ka qenë një dhomë me 3 persona.

Më vonë kishte marrë edhe një person tjetër, ishin bërë katër. Fatoni u arratis dy ditë pasi u kthye nga vikendi. Kur erdhi që andej, tha këtu nuk rrihet më. Të atit të Fatonit i kam dhënë rroba, që ai t’ia çonte Fatonit pasi m’i kërkoi. Mendoj se është këshilluar keq nga pala opozitare dhe është futur në konflikt edhe me institucionet tona”, tha Geci./euronews/