Xixëllonjat plot dritë na sjellin ndërmend momentet më të bukura të fëmijërisë dhe është i madh malli për netët e kaluara në natyrë, nën mantelin e qiellit plot yje dhe në praninë e xixëllonjave, të cilat me shkëlqimin e tyre shpesh e bënin natën ditë.
Por, kur është hera e fundit që ke parë një xixëllonjë?
Nëse nuk e mban mend, atëherë ka kaluar shumë kohë dhe nëse i ke parë rrallë problemi mbetet serioz. Çfarë po ndodh në të vërtetë?
Bletët nuk janë të vetmet specie në zhdukje, pasi edhe fluturat po hasin vështirësi. Por me xixëllonjat situata është mjaft problematike. Prej vitesh, shkencëtarët kanë paralajmëruar shuarjen e 2,000 specieve të ndryshme të xixëllonjave.
Nuk është aspak çudi. Dora e njeriut në mjedis është shkatërrimtare. Krijesa të ndryshme ‘janë pa shtëpi.
Xixëllonjat shumohen dhe jetojnë në pyje, pranë liqeneve dhe lumenjve, nëpër kopshte dhe lëndina. Por kur betoni zapton çdo hapësirë të gjelbër, xixëllonjat humbasin habitatin e tyre. Sikur betoni të mos mjaftonte, ekzistenca e tyre ndikohet për keq edhe nga pesticidet dhe ndotjet e shkaktuara nga njeriu. Xixëllonjat rrëfejnë më së miri shëndetin e mjedisit që na rrethon.
Xixëllonjat po shuhen në mbarë botën si rezultat i degradimit dhe humbjes së habitatit të tyre, ndotjes së lumenjve, përdorimit në rritje të pesticideve dhe ndotjes së vazhdueshme të ndriçimit në zonat e banuara nga njerëzit.