Në disa raste gjatë kësaj jave presidenti serb ka ngritur shqetësimin e tij për përdorimin e dronëve nga Kosova, të cilët sipas tij po vëzhgojnë ushtrinë serbe. Rrethanat dhe kontekstin e deklaratave të tij, e kanë komentuar njohës të çështjeve të sigurisë, të cilët thonë se atij i duhet një arsyetim për veprimet e veta, derisa paralajmërojnë edhe për rrezikun e cenimit të serishëm të Kosovës.
Tash e disa ditë, presidenti i Serbisë është duke përmendur dronët e Ushtrisë së Kosovës, që sipas tij po vëzhgojnë pozicionet e ushtrisë së Serbisë.
Megjithatë, pretendimet e tij nuk janë konfirmuar nga Ministria e Mbrojtjes, që nuk janë përgjigjur në interesimin e RTV Dukagjinit për këtë temë.
Por, komunikimi i tillë i presidentit serb, që është shfaqur me udhëheqës të ushtrisë së shtetit të tij në ditët e fundit, nga njohës të sigurisë në vend po konsiderohet si lojë e radhës.
“Është komunikim i një lufte speciale dhe një komunikim që shkon në shërbim të politikës së brendshme të Serbisë. Vuçiqit i duhet gjithmonë të ketë një arsyetim për veprimet e veta politike por edhe të paraqitet si lider që mbron interesat e Serbisë gjithandej”, ka thënë njohësi i sigurisë, Hysen Gecaj.
“Bayraktarët e Kosovës kanë vëzhguar lëvizjet e ushtrisë serbe”, Ministria e Mbrojtjes i përgjigjet Vuçiqit
Mirëpo, analisti Drizan Shala, beson që shteti i Serbisë do të përdorë pezullimin e dialogut që të krijojë tensione në Kosovë.
“Tani më nga informacionet që kanë dalur në publik nga ana e Kryekuvendarit, janë me qindra qytetarë që janë duke u trajnuar në kampe ushtarake të Ushtrisë së Serbisë dhe kjo është treguese se Serbia është duke u përgatitur ndërmjet formave të caktuara të kontraktorëve privat që i ka marr nga vatrat që është duke u angazhuar Wagneri dhe të gjithë këta padyshim që do të veprojnë në interes të Serbisë duke cenuar Republikën e Kosovës”, ka theksuar Shala.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca në fillim të kësaj jave bëri të ditur se institucionet kosovare, kishin informacione për formacionet që po ushtroheshin, në përgatitje të një sulmi eventual. /Dukagjini/