“Ata nuk i besojnë plotësisht njëri-tjetrit”, eksperti gjerman: Dodik dhe Vuçiç garojnë “kush është serb më i madh”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe ai i Republikës Sërpska, Milorad Dodik, prej kohësh garojnë me temën “kush është serb më i madh”, por pas të ashtuquajturit “Kuvendit gjithëserb”, ata ndiejnë se kanë nevojë për njëri-tjetrin.

Kështu ka thënë Kurt Bassuener, nga Këshilli për Politikën e Demokratizimit me seli në Berlin, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL).

Biseda me Bassuenerin u zhvillua dy ditë pasi që Asambleja Kombëtare e entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republikës Sërpska, miratoi Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmen e përbashkët të popullit serb, e cila fillimisht u miratua në të ashtuquajturin “Kuvendi gjithëserb”, më 8 qershor.

Ndër të tjera, Bassuener foli edhe për ndikimin që Deklarata do të ketë në të ardhmen e marrëdhënieve në rajon, idetë e reja secesioniste në Republikën Sërpska, cili do të jetë reagimi eventual i SHBA-së dhe BE-së, si dhe çfarë pret nga zgjedhjet lokale të këtij viti në Bosnje e Hercegovinë.

Radio Evropa e Lirë: Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska ka miratuar Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmen e përbashkët të popullit serb, e konfirmuar në “Kuvendin gjithëserb”. Cila është rëndësia e saj në afat të shkurtë dhe afat të gjatë, a është vetëm simbolike, apo rëndësia e saj është ngritur në një nivel më të lartë, duke pasur parasysh se në çdo gjë ka qenë i përfshirë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç?

Kurt Bassuener: Në afat të shkurtër, e rëndësishme është se është treguar qëllimi dhe siç është e zakonshme – si për Vuçiçin ashtu edhe për Dodikun – shikojnë se sa larg mund të shkojnë.

Gjithashtu, duke marrë parasysh atë që po ndodh në Shtetet e Bashkuara, nuk mendoj se janë neutralë as Dodik dhe as Vuçiç, kur bëhet fjalë për zgjedhjet amerikane.

Të dy shpresojnë që ish-presidenti [Donald] Trump të bëhet sërish president në janar dhe nëse kjo ndodh, ata kanë besim se mund të vazhdojnë me veprimtarinë e tillë.

Në thelb, me këtë i “hedhin dorëzën” në fytyrë bashkësisë ndërkombëtare dhe i bëjnë pyetje – çfarë do të bëni për të na ndaluar?

Pra, nuk mendoj se kjo është vetëm deklarative apo simbolike. Mund të mos jetë diçka për operim në muajin e ardhshëm, por sigurisht që do të vazhdojë të shkojë në atë drejtim, do të vazhdojë në të ardhmen me takime, shpallje të qëllimeve të përbashkëta e të tjera.

Deri më tani, do të thosha se kundërshtimi i vërtetë i Perëndimit ndaj këtyre lëvizjeve nuk është trajtuar me gjuhën dhe metodat e duhura.

Radio Evropa e Lirë: Në të njëjtën kohë, ligjvënësit në Republikën Sërpska planifikojnë të miratojnë Informacionin për rregullimin e marrëdhënieve midis dy entiteteve, që në thelb është një thirrje për shkëputje paqësore. E veçanta e këtij akti është se kjo “ndarje” nuk u përmend në Kuvendin e 8 qershorit.

A do të thotë se kjo është edhe një “e shtënë në ajër” e pushtetarëve të Republikës Sërpska, sepse nuk e kanë mbështetjen e Vuçiçit, por megjithatë e kanë të paktën mbështetjen implicite të tij? A mund të presim që Vuçiç, në të ardhmen, të “justifikojë” aspirata të tilla të autoriteteve të Republikës Sërpska.

Kurt Bassuener: Është e qartë se ka kohë që ekziston një garë mes Dodikut dhe -Vuçiçit në temën se kush është serb më i madh, kështu që nuk mendoj se ata i besojnë plotësisht njëri-tjetrit.

Megjithatë, ata tani janë në situatë ku, pas cirkut në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, të ashtuquajturit “Kuvend gjithëserb” dhe miratimit të Deklaratës, ata ndiejnë se kanë nevojë për njëri-tjetrin, por asnjëri prej tyre nuk mund ta pushojë garën.

Besoj se Dodik mendon se, së paku, mund të vazhdojë të fitojë mbështetjen e Vuçiçit në sferën publike, dhe se ai mund të vihet në pozitën ku eventualisht do t’i duhet të përmbushë premtimet e tij.

E gjithë kjo po ndodh në një atmosferë ku duket se gjithçka lejohet.

Faktorë të shumtë në BE duan të shihen si dikush që paraprakisht e inicion statusin kandidat të Bosnje e Hercegovinës, në mënyrë që të fillojnë negociatat, dëshirojnë të jenë ata që kanë arritur progres, prandaj nuk duan t’i theksojnë këto probleme.

Kishte shumë njoftime dhe deklarata të ashpra amerikane, jam dakord me shumë prej tyre, por nuk ndodhi diçka që në Republikën Sërpska nuk do të mund ta injoronin, siç është rivendosja e faktorëve të parandalimit dhe frikësimit.

Pikëpamja ime është se duhet të dërgohet porosia – ju kurrë nuk do të ndaheni, sepse ne nuk do t’ju lejojmë. Mund të flisni çfarë të doni, por nuk mund të bëni asgjë, kështu që në të mirën tuaj është të ndryshoni temën.

Që nga viti 2009, unë dhe kolegët e mi nga Këshilli për Politikën e Demokratizimit kemi kërkuar vendosjen e trupave në Bërçko, riparimin e brigadës EUFOR me mbështetjen e aleancës së NATO-s. Mendoj se kjo do të ishte kthesë.

Jo vetëm që do ta shkatërronte agjendën “gjithëserbe”, por edhe idenë e “Botës serbe”, e cila është si një ombrellë mbi agjendën gjithëserbe.

Megjithatë, më duket se nuk ekziston dëshira në të dyja anët e Atlantikut për t’u parë si dikush që do të përshkallëzojë situatën. Mendoj se një gjë e tillë është problem.

Kjo ua lehtëson Dodikut dhe Vuçiçit që të vazhdojnë me “garën” e tyre.

Radio Evropa e Lirë: Lidhur me shkëputjen janë deklaruar Ambasada amerikane dhe Zyra e BE-së në Bosnje e Hercegovinë. Të gjithë e dënuan këtë dhe thanë se ishte e pamundur në praktikë, kur u paralajmërua për herë të parë, më 23 maj. Për sa i përket Deklaratës, Ambasada amerikane ishte e vetmja që reagoi mënyrë specifike.

Ndërkohë, SHBA-ja ka vendosur një sërë sanksionesh që mund të dhembin shumë – të drejtuara kundër kompanive të afërta me familjen e Dodikut. Jake Sullivan, një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë, njoftoi gjithashtu masa të reja të mundshme. A prisni sanksione të reja amerikane dhe kundër kujt?

Kurt Bassuener: Kjo që e thoni se është diçka e pamundur, më nuk është e rëndësishme.

E nevojshme është që të vërtetosh se diçka është fizikisht e pamundur, t’u tregosh të gjithëve, jo vetëm lidershipit por edhe qytetarëve, se nuk mund të bëhet.

Kjo përfundimisht do të përjashtonte faktorin e frikës.

Për sa u përket sanksioneve, nuk e di se kë do të kishin cak, por e di se çfarë lloj njerëzish do të ishin cak.

E dimë se veprimi i bankave, të cilat mbyllën llogaritë e personave dhe kompanive nën sanksione, i lëndoi vërtet. Kjo është pozitive dhe tregon forcë.

Mendoj se në atë rast, më e mundshme është zgjerimi i rrethit të personave të sanksionuar.

Gjithashtu, unë mendoj se do të piketohen edhe ata njerëz, të cilët, për shembull, i obligojnë të tjerët të blejnë letra me vlerë të Qeverisë ose entitetet e mëdha që i kanë blerë ato.

Autoritetet e Republikës Sërpska kanë problem, për sa i përket parave, me të cilat i paguajnë rrjetet e tyre të patronazhit dhe punonjësit në sektorin publik.

Nëse ka presione të reja, me siguri do të synojnë këtë.

Cilat janë caqet e Vuçiqit dhe Andrija Mandiqit?

Radio Evropa e Lirë: Çfarë roli luan Vuçiq në të gjitha veprimet e Republikës Sërpska dhe Millorad Dodikut. A “bekon” ai gjithçka nga prapavija, apo nuk ka aq shumë ndikim te presidenti i Republikës Sërpska?

A është e mundur që ai po përpiqet – siç u spekulua më parë – që me aktivizimin dhe “qetësimin” e Dodikut kur i duhet, të arrijë një pozicion më të favorshëm për Serbinë në lidhje me Kosovën?

Kurt Bassuener: Mendoj se ata e shfrytëzojnë njëri-tjetrin. Asnjëherë nuk kam krijuar përshtypjen se Dodiku është “lodra” e dikujt. Natyrisht, ai është në një pozicion vartës.

Sidomos, sepse ai është i cenueshëm kur bëhet fjalë për financimin, ndërkaq (kryeministri i Hungarisë, Viktor) Orban dhe Vuçiq e ndihmuan atë në këtë drejtim. Dhe, përfundimisht mendoj se Vuçiqi po e shfrytëzon këtë për qëllimet e tij më të gjera, përfshirë veriun e Kosovës dhe kjo është pjesë e konceptit të tij të “Botës serbe”.

Kjo është ajo që ka marrë vëmendjen më të madhe në hapësirën publike. Mund të debatohet edhe për atë se ka marrë mjaft vëmendje të madhe në Mal të Zi, përmes [kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, Andrija] Mandiqit.

Ai (Vuçiq) u përball me probleme të reja në veri të Kosovës, veçanërisht pas Banjskës, dhe nëse e shikoni këtë në dritën e “performancës” në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe të gjithë historisë dhe parullës “ne nuk jemi popull gjenocidal”, unë mendojnë se po përdorin njëri-tjetrin.

Mendoj se kjo është e dobishme për Vuçiqin, për arsyet që përmendët, për qëllime më të gjera dhe për të krijuar një imazh të vetes si partner, sepse Dodik nuk e paraqet veten si aleat të kujtdo nga Perëndimi.

Vuçiq, natyrisht, po kryen arbitrazh gjeopolitik dhe po drejtpeshon. Dhe ai dëshiron të shihet si një partner pak a shumë i pranueshëm për SHBA-në, BE-në dhe Britaninë e Madhe.