Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, kanë zbuluar detaje të reja rreth resortit luksoz “Aman” që do të ndërtojnë në ishullin e Sazanit.
Në një intervistë për podcastin Lex Friedman, Ivanka ndau vizionin e tyre për këtë projekt ambicioz, që synon të sjellë standardet më të larta të luksit dhe elegancës në Mesdhe.
“Tani për tani po punoj me burrin tim.
Ne kemi këtë ishull prej 1,400 hektarësh në Mesdhe dhe po sjellim arkitektët më të mirë dhe markat më të mira.
Aman do të operojë hotelin për ne, dhe ato do të jenë vila, dhe ne kemi Carbone që do të bëjë ushqimin dhe pijet.”
Një nga aspektet më të veçanta të këtij resorti është përfshirja e Carbone, një rrjet restorantesh italo-amerikane të drejtuar nga kuzhinerët me famë botërore Mario Carbone dhe Rich Torrisi.
“Aman do të operojë hotelin për ne dhe aty do të ketë vila.
Ne kemi Carbone që do të ofrojë ushqimin dhe pijet.
Por është e mrekullueshme të bashkosh të gjithë këtë talent dhe të tregoj sërish muskujt e sektorit të pasurive të paluajtshme dhe të argëtohem me këtë,” tha Ivanka, duke treguar entuziazmin e saj për këtë projekt të ri.
Resorti “Aman” ka një reputacion të fortë mes të famshmëve botërorë, përfshirë Bill Gates, Mark Zuckerberg, Kardashians, Angelina Jolie, David Beckham, George dhe Amal Clooney, Tom Hanks dhe shumë të tjerë.
Me mbi 30 prona në 20 vende të botës, Aman është sinonim i luksit dhe elegancës, dhe dhomat në këto resorte kushtojnë mesatarisht rreth 1,400 dollarë në natë, ndërsa vilat arrijnë çmimet deri në 50,000 dollarë në natë.
Bashkëshorti i saj, Jared Kushner, zbuloi pak kohë më parë ambicien për të zhvilluar dy projekte të mëdha turistike në Shqipëri me rrjetin Aman, duke thënë se negociatat ishin në një fazë të avancuar.
Kryeministri Edi Rama ka shprehur mbështetjen e tij për këtë projekt, duke e quajtur atë një xhevahir të kurorës së artë të turizmit në Mesdhe.