VV-ja pret që BE-ja ta bindë Serbinë për zbatim të marrëveshjes, pak pritje për dialogun

Një qëndrim krejt tjetër nga takimi i zhvilluar në Bruksel ka dhënë të mërkurën kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq. Ka fajësuar Kosovën se po e vret dialogun dhe e akuzuar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për diskutimet e zhvilluara. Derisa analistët nuk kanë pritje nga zhvillimi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, në Lëvizjen Vetëvendosje për ndryshimin e qasjes së palës serbe presin të ndikojë ndërmjetësuesi.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, shpresat te zbatimi i marrëveshjes me Serbinë i ka te Bashkimi Evropian.

Deputeti i Vetëvendosjes, Driton Hyseni, ka kërkuar që BE-ja të bindë Serbinë në mënyrë që dakordimi i arritur vitin e shkuar të zbatohet në plotni.

“Ajo çka kemi parë dje ka qenë se s’ka pasur ndonjë përparim drejt arritjes së sekuencimi të mundshëm të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit. Unë uroj që Serbia të bindet, ndërmjetësuesit evropianë ta bindin Serbinë me qëllim që ajo të zbatojë marrëveshjen e arritur. Të kemi sekuencim të marrëveshjes, por edhe zbatim të ujdisë që nga neni i parë deri te neni i fundit i saj”, deklaroi Hyseni.

Të martën në Bruksel, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e takoi kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq.

Pas takimit, Bislimi tha se emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, nga Petkoviqi i është konfirmuar se nuk do të zbatojë marrëveshjen dhe se refuzojnë të diskutojnë për të, pa u zbatuar marrëveshja për Asociacionin.

“Kërkesa e z. Lajçak ishte që deri më datën 18 korrik ne të dërgojmë komentet tona me shkrim për këtë marrëveshje, por ka rezistuar që ato propozime tona pastaj t`i bëjë të njohura për palët për arsye se nga ky propozim i Serbisë do të vërehej qartë se ata nuk e respektojnë dhe nuk e njohin marrëveshjen si të tillë”, tha Bislimi.

Bislimi ka thënë se nga pala kosovare janë prezantuar edhe telashet me zbatimin e marrëveshjes për Energjinë e deklaratës për Personat e Zhdukur.

Por, qëndrim krejt ndryshe ka dhënë kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq. Ai e ka akuzuar Kosovën se është “duke e mbytur” dialogun.

“Dje në Bruksel Bislimi refuzoi të diskutonte për personat e zhdukur, Marrëveshjen për Vizitat Zyrtare e quajti inekzistente, Elektroseverin e quajti kompani jonormale, hodhi poshtë draft Statutin e BE-së për Asociacionin dhe të gjitha i tha para Lajçakut dhe ekipit të tij. Prishtina po e vret dialogun!”, theksoi ai.

E ish-diplomati Blerim Canaj pavarësisht takimeve mes kryenegociatorëve nuk pret progres në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Pala serbe por as ajo kosovare nuk ka ndonjë interesim të stabilizimit të situatës, pasi kur prek sentimentin nacional atëherë ka ngritje në votë, kur dihet se ne jemi në një vit zgjedhor. Në anën tjetër palës serbe i konvenon status-qou, pasi paraqitja e Kosovës si çështje e sigurisë natyrisht se është ajo çka ka dashur gjithmonë Serbia por edhe Rusia. Ne jemi në një formë të futur në grackën e Vuçiq, pasi ai e ka arritur atë çka ka dashur deri tash”, deklaroi Canaj.

Për takimin nga Bashkimi Evropian nuk kanë dhënë shumë detaje, derisa kanë thënë se janë dakorduar për një sërë hapash në vijim.