Afrim Atashi nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), thotë se kanë pranuar disa ankesa nga zyrtarët lidhur me deklarimin e pasurisë, saktësisht për privatësi.
I ftuar në “Tempus”, ai foli rreth “pasojave” që zyrtarët mund t’i kenë pas deklarimit të pasurisë në APK.
Atashi theksoi se zyrtarët janë ankuar se me deklarimin e parave të gatshme, familjarët e deklaruesit kanë kërkuar para me arsyetimin se e kanë parë deklarimin e pasurisë në Agjenci.
“Te çështja e privatësisë gjithmonë kemi pas ankesa për shkak të privatësisë sepse pasuria bëhet publike, mirëpo ne gjithmonë kemi bashkëpunu edhe me Agjencinë për Privatësi dhe Informim dhe ato çështje që kanë kosideru që janë private dhe nuk duhet me kanë publike apo personale janë eleminuar dhe tash në këtë ligj eleminohen. Një çështje që është pezull dhe atakohemi ne si Agjenci është veç të hyrat që janë para të gatshme është një rubrikë e caktune që janë publike edhe aty nuk kemi pasur ndonjë rast që dikush për shkak të Agjencisë, nuk po them që ndoshta një hajn i caktuar mundet me thanë i kam parë të Agjencia dhe për këtë po hy po i marrë, nuk kemi pas ndonjë rast që për shkak të Agjencisë është bërë publike me pas ndonjë hajni ose ndonjë vjedhje në këtë aspektë më tepër kemi pas aspekta se ‘po m’i lypë vëllau paret, daja paret, paske pare t’i lypa’, por këto nuk janë që kanë ndodh”, sqaroi ai.
Atashi thotë se kanë tentuar që mos ta bëjnë publike pasurinë e zyrtarëve, por një gjë e tillë është kundërshtuar nga organizatat joqeveritare dhe shoqëria. Sipas tij, shumë shtete të tjera janë drejt procesit të bërjes publike të pasurisë.
“U tentu edhe një herë që me u bë jopublike pasuria, por u ngritën edhe organizatat joqeveritare dhe shoqëria e krejt u blloku për shkak se disa shtete nuk e kanë publike, mirëpo në këtë aspekt janë duke lëvizur me i bë publike krejt edhe u pa si regres edhe në Kosovë për mos me u bë publike”, tha Atashi. /BetimipërDrejtësi