Alarm “fals” për Jasir Asanin. Pasditen e djeshme u përfol se “mëngjarashi”
ishte dëmtuar në sfidën me Italinë nga Dimarco, gjë e cila ka shqetësuar tifozët.
Por fatmirësisht nuk ka asgjë për t’u shqetësuar dhe tifozët mund të qetësohen. Kombëtarja Shqiptare ka nisur përgatitjet për duelin me Kroacinë dhe FSHF bën me dije se të gjithë lojtarët ditën e djeshme ishin nën urdhrat e Sylvinhos.
Kështu edhe Asani ka qenë pjesë e grupit dhe të gjithë futbollistët janë mirë dhe nuk kanë probleme fizike. Sigurisht ky është një lajm i mirë, pasi siç dihet 29-vjeçari është një pikë kyçe në formacionin e Sylvinhos dhe në këto kushte nuk do të privohet nga prezenca e tij ndaj Kroacisë.
Kujtojmë se dueli me Kroacinë do të luhet ditën e mërkurë në “Volksparkstadion” në Hamburg. Kjo përballje do të luhet në orën 13:00.