Driton Tali, këshilltar i kryeparlamentarit Glauk Konjufca, ka folur për bojkotimin e PDK-së që bëri në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku u votua rezoluta kundër organizimit të referendumit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.
Tali thotë se nga ana e PDK-së ishte e pamenduar mirë bojkotimi i kësaj seance.
Ndërsa, sa i përket LDK-së dhe AAK-së, ai thekson se, ishte hap pozitiv.
“Personalisht e shoh si një hap pozitiv bashkëngjitjen së LDK-së dhe AAK-së kësaj iniciative pa marrë parasysh se pati edhe tendenca të vogla për “përfitime politike”, që për mendimin tim ishte gjithçka brenda kornizave të pluralizmit politik”, thotë Tali për gazetën “Bota sot”.
Për bojkotimin e PDK-së ai thotë se është problem i anëtarësisë dhe elektoratit të saj.
“Tashti sa i përket bojkotimit nga PDK, besoj se ishte e pa menduar mirë nga lidershipi saj për faktin se kishte të bënte me interesin e përgjithshëm shtetëror. Sidoqoftë, këtë gabim shoh si problem të anëtarësisë dhe elektoratit të saj”, potencon ai.
Ai thekson se, Serbisë iu bë e qartë se nuk mund të vazhdojnë avazin e vjetër.
“Me rëndësi është që lidershipit të Serbisë ju bë e qartë se ata nuk munden të vazhdojnë të sillen më në avazin e vjetër patronizues, se Kosova është Republikë e Pavarur, dhe se do të sillet si e tillë, ju pëlqen atyre apo jo! Andaj më mirë është që ta ndrrojnë qasjen, ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe t’ia fillojmë një kapitulli të ri, sepse nuk mundet ky rajonil të ngel peng i racizmit dhe hegjemonizmit në pafundësi”, thotë Tali.
Tali tutje shprehet se, kjo çasje e deritashme hegjemoniste ka bërë që veç ky rajon, pra Ballkani Perendimor, të ngel prapa në zhvillim dhe në integrim.