Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se kryeministri Albin Kurti, ardhjen e tij në pushtet e ka arritur duke kundërshtuar gjithçka në lidhje me Serbinë.
Në Rubikon në Klan Kosova, ai tha se Kurti bënte shaka kur thoshte se dialogun me Serbinë e ka prioritet të shtatë.
“Ne mund të themi se na ka ardh ky presion. Por, problemi është se si erdhëm deri në këtë pikë. Për shembull, prej kur e ka marr pushtetin Kurti, rreth 1 vjet nuk e ka përmendur askush Asociacionin. Për një kohë është mbyllur çështja e Asociacionit, ka hyrë pastaj në tryezën e bisedimeve çështja e ripëarcakimit të kufirit. Dhe zoti Kurti ka fituar me agjendën kundër të dyjave. Ne tash e kemi një kryeministër i cili krejt jetën e tij politike e ka ndërtuar mbi refuzimin e çdo marrëveshjeje apo dialogu me Serbinë fillimisht, dhe në fund me refuzimin populist të të dy zgjidhjeve, të Asociacionit dhe pastaj edhe të ripërcaktimit. Kjo na çon çdo herë e në zgjidhje më të këqija. Ky kryeministër ka ardh në pushtet dhe bënte shaka me të gjithë neve, ka qenë një shaka e paparë, thoshte e kam në prioritet të 7 çështjen e bisedimeve sepse kështu po e lypë populli. Normal është se populli prioritet e ka jetesën e mbijetesën. Mirëpo, ne e dimë se për Kosovën, për çdo qeveri, bisedimet dhe marrëveshja me Serbinë është prioritet i parë”, deklaroi Murati.
Ai tha se çdo asociacion që Kosova e bën, “nuk besoj që mund të jetë në përputhje me Kushtetutën, sepse atë po e krijon për të akomoduar disa interesa të caktuara”.