Në Aksaraj, njëra nga lagjet më të mëdha të Stambollit, kryeqytet kulturor e financiar i Turqisë, janë mbledhur dhjetëra shqiptarë nga të gjitha trojet e dikurshme të Arnavutllukut. Në mesin e tyre është edhe Avniu, 86-vjeçar, që gëzon ende kujtesë të fortë.
Ndonëse më i moshuari në mesin e të pranishmëve, axhi Avni është plot jetë, duke e forcuar përshtypjen që shpesh mosha është veç numër.
Përveç vitit, Avniu e kujton edhe datën kur emigroi nga Kosova në Turqi.
“Kam ardhur unë më 27 februar (shkurt v.j.) 1957, prej Vuçiterrne në Prishtinë, prej Prishtinës në Stamboll” – thotë axhi Avni në hyrje të intervistës.
Natyrisht, axhi Avni është kujdesur që të mos e humbë gjuhën, një nga veçoritë dalluese të identitetit shqiptar.
“Nuk e harroj unë shqipen. 86-vjeçar jam. Sa po di, po e foli shqipen” – thotë ai.
Gjatë intervistës, shqiptarët e tjerë, që ishin të pranishëm, ndërhyjnë nga larg. Njëri prej tyre tregon se axhi Avni, përveç që flet bukur mirë shqip, di edhe të këndojë.
“Me fol nuk po din, me këndu po din” – thotë njëri prej shqiptarëve në formë shakaje e nxitje për t’ia filluar këngës shqipe.
“Qy, qy, hahaha. Kanihere po e përzijmë dyqysh, krejt shqipe, këngë shqipe të moçme” – thotë Avniu në përgjigjen e tij.
Përkundër hezitimit fillestar, Avniu ia kërcet këngës, bashkë me tre shqiptarë të tjerë. Natyrisht, kënga e parë është një këngë patriotike, e cila ngjall emocione te të pranishmit.
“Besa, besë, besën ta kem dhane, për Kosovë jetën dojmë me dhane” – jehonte kënga shqipe e axhit Avni me shqiptarët e tjerë.
Në këtë natë me muzikë shqipe, u mblodhën pesë organizata aktive të shqiptarëve në Stamboll, të cilat e vazhdojnë aktivitetin e tyre, që synon të ruajë identitetin dhe kulturën e veçantë të shqiptarëve të Turqisë.