Ministri i mbrojtjes serbe, i sanksionuari nga Amerika, Aleksandër Vulin tha se ‘Shqipërinë e Madhe’ mund ta mundë ‘bota serbe’ por edhe ‘me ndhëm e Greqisë’. Këto deklarata, ai i bëri si përgjigje ndaj takimit të kryeministrit shqiptar Edi Rama, me shqiptarët në Athinë.
Por, vetë kryeministri shqiptar, iu përgjigj sot kështu Vulinit nga Kotorri i Malit të Zi, përcjell Nacionale:
“Një njeri i mençur ka thënë se pas të 40-tave, çdo njeri mban përgjegjësi për fytyrën që ka. Nëse shikoni fytyrën e personit që i referoheni, nuk besoj se ka nevojë për ndonjë koment tjetër për të”, tha kryeministri Edi Rama.
“E vetmja gjë që më vjen keq e gjithë përpjekja absurd për ta projektuar në sytë e atyre që duan të besojnë cdo lloj marrëzie por jo të vërtetën për arsye politike, atë valle kuq e zi do thosha në zemër të Athinës si një takim bërë me autobusë të administratës. Më vjen keq sepse fyhet, lëndohet dinjiteti, lëndohet sedra dhe zemra e gjithë atyre që kishin ardhur atje dhe ishim jo vetëm shqiptarë që mund të kishin një lidhje simpatie politike me forcën që qeveris por edhe njerëz që as nuk na kanë votuar ndonjëherë por ishin të njohur si njerëz që i përkasin palëve tjera politike dhe ishin njerëz që erdhën krejt natyrshëm, në këtë aspkt është e vetmja gjë për të cilën më vjen keq dhe për gjëra të tjera ai takim do mbetet përgjithmonë në kujtesën time si një moment i veçantë shqiptarie dhe besoj se është moment i veçantë kthese psikologjie jo vetëm në raport me shqiptarinë”, thotë Rama veç tjerash rreth takimit me shqiptarët në Greqi.
Çka ndodhi?
Shkaku i deklaratave të zv/kryeministrit fashist serb, Aleksandar Vulin, Shqipëria e ka thirrur për intervistim dhe sqarim ambasadorin serb në Tiranë, Sllobodan Vukçeviq.
Kjo pasi që Vulin u shpreh në tonet e tij të kahershme fashiste ndaj një tubimi që pati Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me shqiptarë në Athinë.
“Herën tjetër që Qeveria e Greqisë të mendojë për njohjen e të ashtuquajturës Kosovë, le të kujtojë se si duket pritja e Edi Ramës në mes të Athinës. Atë që Rama nuk mundi ta përjetonte në Tiranë, e përjetoi në Athinë. Njohja e të ashtuquajturës Kosovë nga autoritetet greke dhe pranimi i Prishtinës në Këshillin e Evropës, do të ishte një kontribut i pamatshëm i Qeverisë së Greqisë dhe Dora Bakoyyanis, në krijimin e ‘Shqipërisë së Madhe’. Shqipëria mund të ndalet vetëm nga serbët dhe ‘Bota Serbe’, por edhe nga ju grekë të dashur, grekët tanë. Ju lutem mendoni për këtë”, citohet të ketë thënë Vulin, raportoi Radio Evropa e Lirë.
Ministria e Jashtme e Shqipërisë e ka reaguar ndaj deklaratës së Vulinit duke e vlerësuar për “provokuese, në kundërshtim me frymën e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe nuk i shërben paqes dhe stabilitetit në vendet e Ballkanit”.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme pret reflektim të menjëhershëm, në mënyrë që deklarata të tilla të dëmshme, të përsëritura, të mos ndikojnë në marrëdhëniet tona, të cilat duhet të jenë të orientuara drejt fqinjësisë së mirë dhe integrimit evropian”, u tha në reagim.