Disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje janë kundër idesë së kryeministrit Albin Kurti, njëherësh kryetar i LVV-së, për shpërbërje të Kuvendit, për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.
Këtë e ka konfirmuar deputeti Visar Korenica.
Ai thotë se edhe vet është kundër shpërbërjes së Kuvendit, duke vlerësuar se legjislatura aktuale është më e mira që ka pas Kosova.
“Është shprehje e demokracisë, shprehje e vullnetet të lirë të deputetit.
Mendoj që në çdo subjekt ka dallime të tilla se dikush e sheh ndryshe procesin.
Është çështje që diskutohet brenda grupit dhe pastaj vendoset.
Unë kam pikëpamjet që përderisa kjo legjislaturë është më e suksesshme… Unë mendoj që nuk duhet me u shpërbë Kuvendi”, ka thënë Korenica në Tëvë1.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka deklaruar se nëse opozita është e gatshme për zgjedhje do t’i ndihmonte për shpërbërjen e Kuvendit.
Ai të mërkurën tha se nëse opozita nuk është e gatshme për zgjedhje mandatin qeverisës do ta dërgojë deri në fund.