Çdo gjashtë muaj dhjetë deputetë serbë marrin pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës në mënyrë që të mos ju digjen mandatet. Qëndrimi i tyre zgjat pak minuta dhe më pas largohen dhe zhduken për gjashtë muajt e ardhshëm.
Megjithëse kontributi i tyre është zero, dhjetë deputetët nga vendet e rezervuara për komunitetin serb, ku nëntë prej tyre janë të Listës Serbe dhe një i pavarur, vijojnë të marrin pagat e tyre rreth 1700 euro në muaj. Këta deputetë që sfidojnë dhe nuk njohin shtetin e Kosovës llogaritet se i kushtojnë buxhetit vetëm në paga mbi 200 mijë euro në vit.
Kuvendi i Kosovës nuk iu përgjigj interesimit të A2 CNN se sa është shuma e saktë që kanë marr këta deputetë si paga apo meditje që nga konstitutimi i legjislaturës aktuale në mars të vitit 2021. Lista Serbe që çdo ditë përmes komunikatave ankohet për shtypje të komunitetit serb asnjëherë nuk ka shfrytëzuar foltoren e Kuvendit për të sjellë dëshmitë apo të propozojë ndonjë projektligj në të mirë të komunitetit që përfaqëson.
Bojkotimi i institucioneve shihet si një shqetësim edhe nga Avokati i Popullit.
“Ajo që në situatën aktuale me bojkotimin e institucioneve që po ndodhin nga qytetarët serbë e që mua më shqetëson si Avokat i Popullit është fakti që qytetarët serbë po mbesin të papwrfaqwsuae në institucionet e nivelit qendror e lokal gjë që shkon në dëm të mirëqenies së qytetarit dhe respektimit të të drejtave të tyre”, tha Naim Qelaj, Avokat i Popullit.
Avokati i Popullit thotë se qytetarët serbë aktualisht janë në një situatë të papërshtatshme.
“Është detyrim i institucioneve të Republikës së Kosovës por është përgjegjësi e subjekteve politike që përfaqësojnë qytetarët serbë për të gjetur rrugët e komunikimit, rrugët e integrimit ose të përshtatjes brenda strukturave shtetërore që përmes atyre strukturave t’ju ndihmohet qytetarëve dhe t’ju ofrohen shërbime që janë të domosdoshme për një jetë normale”, shtoi ai.
Në nëntor të vitit 2022, Lista Serbe kishte dhjetë deputetë që dhanë dorëheqje pas vendimit për bojkot të institucioneve të Kosovës, por më pas, sipas radhës, u betuan deputetët e rinj por ky subjekt humbi një mandat. Atë kohë, Lista Serbe e cilësoi “veprim strategjik” betimin e 9 deputetëve të rinj pasi tha se nuk ua dorëzojnë ulëset serbëve që i binden kryeministrit Albin Kurti.