Policia e Kosovës ka suspenduar nga puna zyrtarin policor Agron Ademi. Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tij pasi ai është zënë duke mashtruar me orët shtesë në punë.
Gazeta Insajderi përmes burimeve ka mësuar se arsyeja e suspendinit te togerit eshte se ai ka punuar edhe si sigurimi i reperit të njohur Ledri Vula. Këtë shërbim ai e ka shënuar si orë shtesë për të marrë pagesa ekstra nga policia.
Zyrtari i dyshuar që ishte objekt i hetimit nga Inspektorati Policor nën dyshimin për manipulim të orëve shtesë të punës ka qenë mbikëqyrës në Drejtorinë e Njësisë Speciale Intervenuese në Policinë e Kosovës.
Insajderi ka siguruar edhe një video kur polici i suspenduar shihet derisa ofron mbrojtje të afërt të këngëtarit Ledri Vula në një paraqitje publike te tij në një qendër tregtare.
Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve përmes një komunikate për media kishte njoftuar se i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e togerit Agron Ademi.
“Informacionet e para lidhur me këtë rast IPK i ka pranuar nga Policia e Kosovës përderisa është duke kryer një hetim preliminar me dyshimin për manipulim të orëve shtesë të punës në drejtim të veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në njoftimin e IPK’së.