Në Tërnoc derisa po pritej që të bëhej votimi i katërt përmes secilës do të vendosej nëse Shaip Kamberi do ta ketë edhe një mandat të deputeti në Kuvendin e Serbisë, kjo gjë nuk ndodhi. Votimi u pengua siç tha Kamberi u bënë parregullsi e shantazhe nga pala serbe.
Por ndaj këtij pengimi ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje (LVV). Nëpërmjet një reagimi VV ka thënë se “Për t’u bërë deputet nëse je me kombësi shqiptare në Serbi të përsëriten zgjedhjet plot katër herë”.
“Sot, Presidenti i Serbisë u paraqit në samitin e vendeve të Ballkanit perëndimor në BE. Aty po kërkonte të ardhmen evropiane të Serbisë, teksa në Tërnoc, lokalitetit më të madh të Bujanocit, po pengohej mbajtja e zgjedhjeve për herë të katërt, ngase aty po kandidon një shqiptar Shaip Kamberit përballë Ivica Daçiqit, partisë së tij. Ky është një rekord tjetër i zi i Serbisë, udhëheqësit e së cilës kanë prodhuar vetëm në muaj e fundit një listë të gjatë të rekordeve të tilla”, thuhet në reagimin e VV, shkruan Reporteri.
VV ka dhënë edhe arsyet se pse Serbia po pengon Kamberin që ta marr edhe një mandat të deputetit në Kuvendin e Serbisë.
“Pse duhet të përsëriten zgjedhjet katër herë në Tërnoc dhe të pengohet nga marrja e mandatit të deputetit Shaip Kamberi? Nuk ka tjetër përgjigje përpos që është shqiptar dhe që mban qëndrime që dënojnë krimet e luftës së Serbisë, mohimin e të drejtave të shqiptarëve aktualisht në Serbi dhe flet shqip në Kuvend kur i denoncon këto qëndrime të institucioneve të Serbisë”, thuhet mes tjerash në reagim.
Tutje ata i kanë bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të sigurojnë një proces të drejt e demokratik.
“I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, misionit vëzhgues të zgjedhjeve OSBE, Këshillit të Evropës e OKB-së që të sigurojnë proces të drejtë e demokratik dhe të mos lejohet deformimi i vullnetit politik të qytetarëve të Luginës. Këta dy ish-ministra të Millosheviqit nuk mundë të vazhdojnë me metoda të ish-shefit të tyre. Është e tmerrshme dhe e papranueshme që me metoda fashiste të shek. XX të luftohen shqiptarët edhe në dekadën e dytë të shek. XXI”, përfundon reagimi i VV.
Politikani Shaip Kamberi, i cili në zgjedhjet e 3 prillit garoi në kuadër të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, kishte thënë se zgjedhjet ishin karakterizuan me dalje të ulët të shqiptarëve, për shkak të, siç kishte nënvizuar ai pasivizimit të adresave të shqiptarëve.
Partitë shqiptare në Serbi në zgjedhjet e 3 prillit garuan me dy lista: Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar dhe Alternativa Demokratike Shqiptare – me gjithsej 20 kandidatë. Këto dy lista kanë marrë afër 13,000 vota.
Në bazë të një vlerësimi të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), të bërë në vitin 2015, u tha se janë rreth 70 mijë banorë shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Rreth 20,000 shqiptarë raportohet se kanë migruar në Kosovë për arsye të ndryshme.