Mbajtja e protezës më gjatë se që ishte parashikuar, nuk e la pa pasoja.
Qazim Hajdari, ndërrimin e protezës në këmben tij duhet ta bëjë çdo 2 vjet, por kësaj here e mbajti më shumë se 5.
Derisa nuk kishte fonde të ndara nga Qeveria për këtë kategori, Hajdari nuk arriti që shumën e protezës ta përballonte i vetëm, dhe kështu për disa vjet ai lëvizi me karrocë.
“2 vjet e 8 muaj kom nejt pa protezë, nuk u kanë hiq lehet, veç kush mujke mem nimu, dikur ma sjellën ni kolic..”, tha Hajdari.
Mirëpo, Hajdari arriti ta ndërrojë protezën, para 3 jave, pasi që Qeveria së fundmi ekzekutoi mjetet për këtë kategori.
“Proteza më ka kushtua 5 mijë euro, jam shumë i kënaqur edhe ma i kënaqur që e kom ba në Kosovë te një shqiptar..”, tha Hajdari.
Ndërkaq, nga 105 invalidët që kanë nevojë për proteza deri më tani 45 e kanë fituar këtë të drejtë.
“45 invalid e kanë marrë dokumentacionin prej Qendrës Klinike Universitare dhe e kanë dorëzuar në Fondin për Sigurime Shëndetësore, janë marr masat dhe po punohet intensivisht aty ku dëshiron vet invalidi”, tha Fadil Shurdhaj nga shoqata e Invalidëve.
Ani pse me shumë vonesë, sipas Shurdhaj paratë që Qeveria i ndau janë të mjaftueshme.
“Është shumë e mjaftueshme pasi protezat kanë dy vite garancion, do të thotë ata që e marrin sivjet edhe dy vite nuk kanë nevojë, meqë institucionet publike shëndetësore nuk i ofrojnë këto shërbime”, tha Shurdhaj.
Pas shumë kërkesave, në fund të muajit mars Qeveria ndau mbi 2 milionë euro për mbulim të trajtimit mjekësor të personave me status të invalidit të luftës, për qëllim të ndërrimit, mirëmbajtjes apo vendosjes së protezave jashtë institucioneve shëndetësore publik.
Kjo shumë do të shfrytëzohet për tri vitet e ardhshme. /ATV