Hajnat futen në lagjen Qëndresa, vjedhin një veturë ‘Audi’ dhe zhduken

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri. Shpeshherë cak i hajnave janë shtëpitë në lagjet luksoze në Prishtinë dhe përreth kryeqytetit, raporton Gazeta Sinjali.

Rasti i fundit ka ndodhur në lagjen Qëndresa në Veternik, ku hajnat janë futur në një shtëpi dhe kanë arritur të vjedhin çelësat e një veture dhe bashkë me të janë zhdukur.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti është denoncuar në Polici nga pronari i shtëpisë, i cili ka deklaruar se vlera e veturës së vjedhur është rreth 40 mijë euro.

Me t’u denoncuar rasti, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, ndërkohë që janë ndërmarrë veprimet hetimore për të identifikuar të dyshuarit.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen personat që dyshohen se kanë kryer veprën.