“Është krenari vërtetë shumë e madhe për Kosovën dhe ndjenjë e papërshkrueshme gëzimi për të gjithë shqiptarët kudo, të shohim një paraqitje kaq inspiruese të presidentes së shtetit të pavarur të Kosovës në Këshillin e Sigurimit, akt që dëshmon se shteti ynë i ri, ani pse pa përvojë të gjatë në diplomaci ndërkombëtare dhe pjesëmarrje në konferenca kaq të larta të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, vërtetë e meriton pranimin e Republikës së Kosovës si shtet me të drejta të plota edhe në OKB dhe të gjitha organizatat tjera, më të rëndësishme ndërkombëtare”, kështu është shprehur analisti politik, Gani Qarri për paraqitjen e presidentes Vjosa Osmani në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, përballë Aleksandër Vuçiqit.
Ai ka thënë se, paraqitja e presidentes Vjosa Osmani ishte aq mbresëlënëse dhe impresionuese, sa që habiti edhe pjesëmarrësit e lartë shumëvjeçar në konferencë dhe vet diplomatët më të njohur dhe me përvojë tejet të gjatë përfaqësimi në OKB.
Kjo sipas tij, duke e cilësuar qëndrimin konsekuent, deklaratat e definuara qartë dhe fjalimin ekscelent të Presidentes edhe si shfaqjen më të mrekullueshme dhe paraqitjen e nivelit më të lartë diplomatik të përfaqësimit të Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
“Dhe siç shprehet edhe vet ish ambasadori me përvojë të gjatë diplomatike, i shtetit shqiptar në OKB, z. Agim Nesho paraqitja e presidentes së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani në Këshillin e Sigurimit, ishte paraqitja më e mrekullueshme dhe kjo është hera e dytë që ashtu si me prezantimin e kryeministrit, edhe me prezantimin e presidentes së vendit tonë, ai e sheh Kosovën, në standardet e prezantimit të niveleve më të larta botërore, gjë që na bënë të ndihemi mirë dhe krenar të gjithë, me udhëheqësit kryesor të shtetit të Kosovës! Ndaj është fat shumë i madh për ne si popull i vogël dhe shtet i ri, madje ende i pa anëtarësuar në OKB, të shohësh “live” se si para një konference të një niveli kaq të lartë përfaqësimi dhe përmasave të tilla mbarë-botërore siç janë takimet e përfaqësimit të shteteve anëtare të OKB-së, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, presidentja e Kosovës, të shkëlqejë në përmasa të tilla brilante të diskutimit, duke e mposhtur dhe deklasuar komplet propagandën e përfaqësuesit rus dhe presidentit kriminel serb, Aleksandër Vuçiq”, thekson Qarri për gazetën “Bota sot”.
Ai shprehet se, ishte shumë interesante, të shohim se si në një konferencë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të thirrur kinse për arsye të stabilitet dhe paqes në rajon me ngulm dhe thirrje të përsëritura nga krimineli Vuçiq.
“Në fakt, ai kishte për qëllim, për ti sensibilizuar anëtarët e Këshillit të Sigurimit, që ta mbështesin Serbinë, presidenti kriminel i saj dhe bashkëpunëtori e pasardhësi i Millosheviqit të deklasohet kaq rëndë, nga presidentja e shtetit më të ri në botë, zonja Dr. Vjosa Osmani. E për t’i dëshmuar me argumente dhe fakte autentike mbarë botës, gjenocidin, krimet dhe terrorin e Serbisë okupatore kundër shqiptarëve të pafajshëm në Kosovë, presidentja kishte marrë me vete edhe 4 nga heroinat e vendit tonë, të cilat me gjithë pengesat e paraqitura në hyrje të sallës, zonja Dr. Vjosa Osmani arriti të futej bashkë me to në Sallën Konferencës, ku si Presidente e Kosovës, kërkoi nga krimineli Vuçiq, tu kërkonte viktimave falje publike, duke paraqitur fytyrën e vërtetë të shtetit gjenocidial të Serbisë dhe deklasoi tërësisht kriminelin Vuçiq, para syve të gjithë botës në sallën e Këshillit të Sigurimit”, shton analisti.
Ai pohon se, ishte hera e parë, nga pas lufta, që një president/e, e Republikës së Kosovës, mori me vete në Konferencën e Këshillit të Sigurimit edhe 4 heroina të Kosovës, ku kërkoi publikisht para përfaqësuesve më të lartë të gjithë botës, nga krimineli Aleksandër Vuçiq, që tu kërkoj falje publike heroinave të Kosovës dhe të gjitha viktimave të përdhunimeve gjenocidiale të ushtrisë dhe policisë okupatore serbe, në Kosovë.
“Duhet cekur se diskutimi i presidentes së Kosovës Dr. Vjosa Osamani i dha kuptim edhe konferencës së Këshillit të Sigurimit dhe gjithë asaj që ndodhi ditën e hënë, në OKB, duke mposhtur keq dhe turpëruar rëndë, përfaqësuesin rus dhe presidentin kriminel serb Aleksandër Vuçiq, i cili është dhe mbetet pjesa më implikuese e të gjitha krimeve të Serbisë gjenocidiale, në krejt periudhën e masakrave dhe vrasjeve më të përgjakshme monstruoze, që nga luftërat e viteve të 90-ta në Kosovë dhe ish federatën jugosllave. Me një fjalë, fjalimi i presidentes Dr. Vjosa Osmani ishte një ripërshkrim i gjithë situatës së kaluar prej mese një çerek shekulli, apo 25-vjeçare”, e cila bëri për vete dhe vendosi qartë në krah të vendit tonë, edhe shtetet mike të Republikës së Kosovës, duke e shndërruar konferencën në një tribunë ndërkombëtare të njërës prej fitoreve më të madhe për Kosovën dhe kthyer atë në disfatën e rëndë të radhës, për Serbinë fashiste dhe presidentin kriminel të saj A. Vuçiq”, thotë Qarri.
Kështu që pas kësaj konference, mjaft të suksesshme për shtetin e lirë dhe të pavarur të Kosovës, Qarro shpreson shumë që shteti ynë i ri, të shkëlqejë edhe me pranimin në KiE i cili do të shënonte suksesin më madhor i radhës, kurse akti historik i anëtarësimit në KiE, përveç si hap i mirëseardhur për pranimin e Kosovës-shtet i pa varur dhe pa “Fusnotën” famoze të kuislingut Hashim Thaçi, padyshim, me vete sjellë, forcimin e mëtejmë të shtetësisë, dhe dëshmon zgjerimin e mbështetjes së vendit tonë nga faktori evropian dhe ai ndërkombëtar.
“Zgjerimi i mëtejmë i mbështetjes nga faktori ndërkombëtar për Kosovën, si dhe anëtarësimi i Republikës së Kosovës në KiE, përveçse dëshmon forcimin e shtetësisë, pas vendimit zyrtar të BE-së për vendosjen e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, si kusht në kapitullin 35, ndaj Serbisë, në procesin e integrimit në BE, që është edhe goditja e parë e drejtpërdrejtë kundër trashëgimisë millosheviçiane të politikës kriminale të Aleksandër Vuçiqit dhe lidershipit nacionalist serb në krye të pushtetit në Serbi, do ta detyrojë Serbinë dhe krerët e saj hegjemonist, që ta pranojnë sa më parë, si akt të kryer dhe të pa kthyeshëm pavarësinë e Kosovës, akt i cili hap perspektivën për integrim të vendit tonë në BE dhe anëtarësimin përfundimtar të Kosovës, si shtet me të drejta të plota edhe në OKB”, përfundon analisti Gani Qarri.