Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar i ka ofruar Kosovës mbështetjen e shtetit të saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Pas takimit që pati me presidenten Vjosa Osmani, e para e shtetit slloven ka uruar që Kosova të bëhet pjesë e KiE-së, teksa ka thënë se faza tjetër do të jetë integrimi në Bashkimin Evropian.
“Ne do t’ju mbështesim gjatë gjithë rrugës. Këshilli i Evropës ka të bëjë me popullin, sepse në fund të fundit janë qytetarët shqiptarë dhe serbë të Kosovës që kanë kontakt të drejtpërdrejt me Gjykatën për të drejtat e njeriut. Unë sot u trondita kur presidentja Osmani më tregoi se Kosova është vendi i vetëm në Evropë pa qasje në Gjykatën për të drejtat e njeriut. Kjo është plotësisht e padrejtë në shekullin e 21-të”, është shprehur ajo.
Pirc Musar ka thënë se uron që Kosova të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës dhe se fazë tjetër është edhe integrimi në Bashkimin Evropian dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Presidentja sllovene ka inkurajuar Kosovën që në dialogun me Serbinë të përfshijë sa më shumë gra, pasi siç ka thënë arritja e marrëveshjeve paqësore është më lehtë e arritshme kur gratë janë në ekipet negociuese.
“Përderisa dialogu është i hapur, ka dritë në fund të tunelit dhe besoj fuqishëm në një gjë të tillë. Mund të marrë edhe ca kohë, por jam shumë e sigurt se Beogradi dhe Prishtina do të gjejnë gjuhën e përbashkët në fund për përfitim të popullit”, ka theksuar Pirc Musar.
Ndërkaq, presidentja Osmani ka thënë se raportet me Slloveninë janë jo vetëm miqësore, por edhe të shkëlqyeshme dhe datojnë sidomos nga periudha e viteve të 90-ta.
“Sllovenia ka mbështetur vazhdimisht Republikën e Kosovës edhe pas vitit 1999 me prezencën në trupat e KFOR-it, pastaj ka mbështetur pavarësinë tonë dhe që nga ditët e para dhe që atëherë kemi arritur që të zhvillojmë marrëdhëniet bilaterale edhe në tregti e ekonomi”, ka thënë Osmani.
Ajo tutje ka theksuar se Kosova vazhdimisht ka mundur të llogarisë në mbështetjen e Sllovenisë dhe është e interesuar ta thellojë bashkëpunimin edhe në fushën e sigurisë dhe të mësojë nga Sllovenia në procesin e integrimit evropian.
“Ne synojmë që të jemi pjesë e familjes euroatlantike. Organizata që do të votohet shpejt është Këshilli i Evropës. Prandaj vota e nesërme në Asamblenë Parlamentare në Këshillin e Evropës e pastaj edhe në Këshillin e Ministrave janë vota pro të drejtave të njeriut. Besojmë dhe shpresojmë në përkrahjen e Sllovenisë, përderisa bëjmë hapa të sigurt të merituar drejt familjes evropiane”, ka nënvizuar Osmani.