Xhudisti Akil Gjakova është në kërkim nga Policia e Kosovës për t’u arrestuar si i dyshuar për dhunë në familje.
Pas lëshimit të urdhërarrestit nga Prokuroria, kjo e fundit, siç merr vesh Insajderi, e ka dërguar gruan e Gjakovës në strehimoren për viktimat e dhunës në familje.
Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar arrestimin e xhudistit Akil Gjakova, i cili është i dyshuar për dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Një gjë të tillë për Insajderin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi. Ai ka thënë se Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës për arrestimin e xhudistit pejan.
“Prokurori i shetit ka pranuar nje procesverbal te nje kontesit civil nga gjyqtari dhe eshte njoftuar nga avokatja e pales se demtuar se ka elemet te veper penale te dhunes ne familje. Menjehere eshte autorizuar Policia e Kosoves nga Prokurori i shtetit per arrestimin e te dyshuarit dhe marrjen e masave ligjore ndaj tij”, ka thënë për Insajderin Shkodran Nikçi, zëdhënësi i Prokurorisë.
Xhudisti Akil Gjakova dyshohet për dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Ai aktualisht është edhe në prag të divorcit. Sot në mëngjes, siç ka raportuar Insajderi, gruaja e xhudistit së bashku me fëmiun e tyre kanë tentuar të hyjnë në banesë ku edhe banojnë, por ka qenë Akil Gjakova që i ka ndaluar të hynë.
Për krejt këto, mediumi ka kontaktuar me prokuroren Lumturije Hoxha, e cila ka thënë se do ta marrë rastin përsipër dhe me gjasë do të vendosë masën e paraburgimit ndaj xhudistit nga Peja.
Hoxha në një prononcim ekskluziv për Insajderin ka thënë se për rastin është njoftuar nga një gjyqtar, e më pas ka kontaktuar edhe me mbrojtjen e viktimës. Prokurorja Hoxha është zotuar se do ta marrë përsipër rastin dhe do t’i ftojë palët për intervistim nga java e ardhshme.
“Nëse është qito çka i pashë, me siguri unë kam me shku me paraburgim. Ai nuk është rast i rregullt, është rast me PPN, pra ka dilema që ekziston vepra penale. Është vetëm një shënim zyrtar jo prej viktimës, por prej gjyqtarit. Gjyqtari çka ka dëgju në kumedit çfarë seance civile. E ka sjellë procesverbalin, ai procesverbal kur unë kom kontaktu me mbrojtësen e viktimës, i kam pa fotot dhe e kam vërejt që është rast për t’u hetuar”, ka deklaruar prokurorja në Prokurorinë Themelore të Pejës.
“I kam thanë mbrojtëses që në javën tjetër kam me gjetë një kohë, edhe pse jam e stërngarkuar me gjykime, edhe kam me i fillu hetimet për me i marrë në pyetje. Paska ndodhë rasti tjetër që është hala më keq për të pandehurin edhe me siguri kom me shku me paraburgim. Për më tutje, në këtë fazë nuk mundem me japë asnjë informacion më tutje”, ka shtuar tutje prokurorja Hoxha për Insajderin.
Akil Gjakova ka refuzuar të prononcohet për Insajderin, pasi gjatë tërë ditës mediumi ka tentuar ta telefonojë për të marrë një version nga ana e tij. /Insajderi.org/