“Provokim i jashtëzakonshëm ndaj Greqisë, brenda Kuvendit të Shqipërisë”, kështu e nis artikullin media greke “Protothema”, referuar ditës së hapur të mbajtur në Parlament nga PDIU për “Javën Çamë”.
“Pasditen e së hënës u zhvillua një aktivitet kushtuar kujtimit të viktimave të “gjenocidit” të Tsamurias nga grekët.
Aktiviteti u organizua nga partia ekstremiste dhe antigreke PDIU, e cila pretendon se përfaqëson qytetarët shqiptarë me origjinë çame, e cila promovon sistematikisht axhendën e Ankarasë në vend. Bashkëorganizatorë ishin fondacioni “Çamëria” Hasan Tahsini dhe shoqata çlirimtare “Çamëria””, thuhet në këtë shkrim.
Media greke, një ndër kryesoret në vendin fqinj, shkruan se ngjarja provokuese ka ndodhur me tolerancën e kryesisë së parlamentit dhe qeverisë Rama, “e cila herë pas here ‘përkëdhel’ veshët e nacionalistëve për arsye votimi”.
“Në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë thuhet në mënyrë provokative: Sot, 78-vjetori i gjenocidit të shqiptarëve të Çamërisë nga grekët, 27 qershori u njoh nga parlamenti në vitin 1994 si ditë gjenocidi dhe kujtimi, në prani të çamëve, patriotë, veprimtarë e të tjerë, me një demonstratë në parlament ku u theksua zgjidhja e çështjes së Çamëve.
Përpara një pankarte ku shkruhej ‘78 vjet gjenocid’, fëmijë të vegjël dhe të rinj recituan poezi çlirimtare për atdheun e ‘skllavëruar’. Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga Athina , për atë që në mënyrë provokative mori pjesë në Kuvendin e Shqipërisë”, shkruan “Protothema”.